Media përballë Omertàs! (Rasti Agasi dhe heshtja e turpshme e mediave të kapura)

Ng Luçiano BOÇI

Në një vend normal, thirrja nga SPAK e një prej personazheve kyçe të Partisë Socialiste do të kishte qenë lajm kombëtar.

Jo vetëm për rëndësinë e emrit, por edhe për pozicionin delikat që mban në arkitekturën e pushtetit e politikës.

Por në Shqipërinë e omertàs politike dhe mediatike, rasti i Agasit i akuzuar si koordinatori i bandave pranë Ramës dhe një nga ofiqarët më të rëndësishëm partiakë të PS-së – kalon në heshtje të plotë.

Dje para SPAK e në hundën e tij u dëshmua hapur se kush e sundon e drejton atë e këtë vend.

Gjunjëzimi i mediave servile ishte spektalolar.

Askush nuk guxoi përveç Syrit e Oras t’i drejtonte mikrofonin eminecës gri të Ramës me urdhër politik.

Një nënshtrim absolut para pushtetit dhe një heshtje vrasëse për gazetarinë, por mbi të gjitha një heshtje bashkëpunuese.

Agasi vërtet nuk është deputet, por ka më shumë pushtet, sesa shumë ministra bashkë dhe disa media bashkë po deshët.

Jo më kot i është treguar gishti si hallka lidhëse zgjedhore midis partisë, krimit dhe territorit.

E megjithatë, mediat që na lodhin përditë me blofet e Ramës, e me njerëzit më fundorë të politikës, por që në fund te ditës shajnë opozitën, nuk hapën gojën për këtë zhvillim të rëndësishëm.

Kjo ndodhi jo vetëm para SPAK, por dhe në përcjelljen në edicionet e lajmeve e panelet e panumërta të intervistave e debateve politike.

Po, jemi në një stad ku media, në vend të qenit qen roje e demokracisë, është kthyer në qen të lidhur pas zinxhirit të pushtetit.

Media të rëndësishme e turli farë llojesh që bëjnë zhurmë për fjalët e gërmat e opozitës, heshtin si të jenë në zi kur një përfaqësues i mazhorancës përfshihet në hetim penal.

Televizione që përndjekin opozitën me kamera e analizojnë çdo germë të saj, nuk thonë asnjë presje për thirrjen nga SPAK të një ofiqari të Ramës e të PS-së.

Ky është thelbi i Omertàs së re shqiptare – jo më mes vetë bandave mafioze, por mes pushtetit politik dhe oligarkisë mediatike.

Një pakt i heshtur, ku lajmet filtrohen, të vërtetat zëvendësohen me spektakël dhe e keqja mbulohet me propagandë.

Dhe kjo heshtje nuk është neutrale – është politike, është pjesë e një skeme ku mbrohen të pushtetshmit dhe përndiqen kundërshtarët.

Ajo që ndodhi me rastin “Agasi” nuk është lapsus, por simptomë. Simptomë e një regjimi që nuk kontrollon vetëm institucionet, por edhe ndërgjegjen publike përmes manipulimit të informacionit.

Në këtë vend, fjala e lirë nuk vritet me censurë të drejtpërdrejtë – ajo asfiksohet me indiferencë të urdhëruar dhe me interpretime e këndvështrime të kushtëzuara.

Dhe sa më shumë hesht media për skandalet e qeverisë, aq më shumë zë shton për goditjen ndaj opozitës.

Sepse kështu funksionon pushteti kur është i korruptuar: nuk e lufton më vetëm drejtësinë, por edhe të vërtetën.

Nëse sot media hesht për Agasin, nesër do heshtë për një tjetër. E pasnesër do të heshtë për gjithçka. Në fakt gati e ka arritur këte pikë sepse dhe kur flet i largohet me mijëra marifete informimit.

Dhe kur media hesht, liria vdes.

Parada e fuqisë së nështrimit të fjalës së lirë dje parakaloi brutalisht para kokëuljes mediatike.

Kjo nuk është rastësi.

Është strategji. Është bashkëpunim i heshtur, një pakt i ndyrë mes propagandës dhe krimit të organizuar institucional.

Tashmë nuk jemi më në kohën e censurës brutale.

Jemi në epokën e “heshtjes selektive”, ku mediat nuk ndalohen me ligj, por me frikë, interes dhe telefonata nga lart.

Përballë kësaj heshtjeje, lind një pyetje e madhe:

Çfarë mbetet nga demokracia kur edhe media është pjesë e omertas së pushtetit mafioz?

Kur të vetmit që guxojnë të flasin janë qytetarët në rrjete sociale dhe jo gazetarët që paguhen për të informuar?

Rasti “Agasi” ishte test për median shqiptare dhe dështoi me turp.

Nuk reagoi, nuk raportoi, nuk hetoi.

U bë palë me paramendim, duke zgjedhur moslajmin si mbulim të së vërtetës.

Nëse SPAK bën hapin e parë me shumë gjasa fals drejt hetimit dhe media kthen kokën nga ana tjetër, atëherë drejtësia e kapur fërkon dhe ajo duart dhe qytetari mbetet i dezinformuar dhe përballë padrejtësisë.

Dhe kjo është pikërisht ajo që kërkon regjimi: drejtësi të kapur dhe popull të verbër.

Është koha që të thyhet ky rreth vicioz. Sepse heshtja ndaj Agasit nuk është thjesht heshtje për një personazh, por heshtje për një sistem që rrëmbyer gjithçka – nga pushteti te media, nga policia te propaganda.

Dhe kjo nuk është më demokraci. Është republikë e urdhrit dhe frikës dhe e medias së nënshtruar.

About Redaksia

Check Also

Tre thirrjet për ndihmë nga Erion Veliaj dhe tre refuzimet e Edi Ramës

Nga Dorian KODRA Momentin e arrestimit, çastin kur prangat të ftohin kyçet dhe polici të …