Kryetari i PD dhe ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar një denoncim të rëndë, duke akuzuar Policinë dhe Prokurorinë për fshehjen e një vrasjeje të kryer në mënyrë mizore në Mirditë. Sipas denoncimit të vajzës së viktimës, Frederik Radi, ai është vrarë në gjumë më 20 gusht 2024 në shtëpinë e tij në Lajthizë, ndërsa autorët janë të njohur për autoritetet, por nuk është marrë asnjë masë ndaj tyre.
Berisha shkruan se, e dënon me forcën më të madhe fshehjen e kësaj vrasjeje çnjerëzore!
Denoncimi i plotë
I vrasin në gjumë babain, policia fsheh autorin!
[📩] Lexoni denoncimin e vajzës së viktimës, dënoj me forcën më të madhe fshehjen e vrasjes të babait të saj!
Përshëndetje z. Berisha,
Po ju drejtohem me shumë dhimbje, por edhe me shpresën e fundit që më ka mbetur, sepse prej institucioneve të drejtësisë kam marrë vetëm heshtje dhe padrejtësi.
Babai im, Frederik Radi, është vrarë në gjumë, në mënyrë të pabesë dhe mizore, më 20 gusht 2024, në shtëpinë e tij në Lajthizë, Mirditë. Prej asaj dite, pavarësisht se Policia e Lezhës, Policia e Rrëshenit dhe Prokuroria janë në dijeni të plotë kush janë autorët, nuk është marrë asnjë masë ligjore. Të gjithë heshtin.
Ne kemi arsye të forta të besojmë se palë të fuqishme kanë ndërhyrë në hetim dhe po mbrojnë vrasësit. Kjo është një padrejtësi e tmerrshme, dhe shteti po tregohet i pafuqishëm – ose i kapur.
Zoti Berisha, ju jeni zëri i vetëm që arrin të çojë të vërtetën në dritën e opinionit publik. Ju lutem, ju bëj thirrje si qytetare dhe si e bija i një njeriu të pafajshëm që është vrarë mizorisht: ndihmoni që kjo çështje të bëhet publike! Ndihmoni që të ushtrohet presion publik mbi institucionet që kanë zgjedhur të heshtin.
Pa ndihmën tuaj dhe pa jehonë mediatike, kjo vrasje do të mbulohet me pluhur dhe kriminelët do të vazhdojnë të ecin të lirë. Mos lejoni që drejtësia të vdesë bashkë me viktimën!