Veliaj dhe “nata e thikave të gjata”

Nga Luçiano BOÇI

Në histori ka skena që përsëriten, ndonëse me kostume të ndryshme.

Njëra prej tyre është ajo e bashkëpunëtorit të zellshëm, të përkushtuar, të bindur se është “i veçanti” i liderit, por që përfundon ose i flakur, ose i zhytur në heshtje të turpshme, sapo rritet më shumë se sa duhet, sapo nis të besojë se është i pazëvendësueshëm.

Paralelet me Shqipërinë e Hoxhës-Shehut etj, janë të prekshme, por historia na ofron akoma shembuj domethënës.

Në Gjermaninë e viteve ‘30, një figurë e tillë kishte një emër: Ernst Röhm, lideri i SA-së – trupës paramilitare që ndihmoi Hitlerin të shkelmojë sistemin dhe të marrë pushtetin.

Ai ishte krahu i fortë, besniku i vjetër, që për një moment guxoi të mendonte se mund të bëhej më shumë – ndoshta edhe vetë një alternativë.

Por historia e tregoi se Hitleri kishte nevojë për lëpirës, jo për rivalë.

Më 1934, Röhm u ekzekutus në “Natën e Thikave të Gjata”. Jo për fajin e tij të vetëm, por për ambicien që nisi t’i shqetësonte liderit paranojak frikën nga hija që po rritej.

Tirana, 2025…

Figura që zë vendin e Röhm-it në versionin ballkanik është Erion Veliaj – kryetari i bashkisë me G-99-çat e tij që ndihmoi Edi Ramën të betonojë pushtetin në kryeqytet dhe më gjerë.

Ai që ndërtoi një PR të pacipë dhe një “Rilindje urbane” tiranase e ramiste me fasadë gëlqereje mbi themele betoni e korrupsioni.

Një klon politik i krijuar për të qenë pasqyrë e liderit – por që një ditë të bukur iu faneps timonierit si rival.

Dhe këtu nisi thyerja

Fraktura mes dyshes Rama–Veliaj u bë e dukshme:

Rama pa qartë që Veliaj ndërtoi bashkë me betonizimin e Tiranës një kult personal, një rrjet interesash që filloi ta trazojë ekuilibrin e pushtetit të centralizuar.

Lëvizje e muajve të fundit, disa përplasje që u mbajtën të fshehta të shoqëruara me shmangie në dalje publike ishin sinjale të qarta që vinin nga brenda kampit.

“Lideri suprem” po përgatiste prerjen e krahëve të klonit të vet, para se ai të besonte se mund të fluturonte vetë.

I vetmi që nuk e shihte këtë ishte Veliaj sepse shpresa e tij e madhe ishte vetë Sorosi i vogël.

Po nëse Röhm u vra për t’i bërë qejfin ushtrisë, Veliaj po flijohet për të shpëtuar mitin dhe burgun e liderit, për të larë mëkatet e partisë, për të mbajtur gjallë doktrinën e një pushteti që nuk “toleron”

askënd përveç vetes.

Röhm nuk u ekzekutua nga Hitleri për krimet e tij ndaj hebrejve siç do ta donte dhe opozita aq sa mund të ishte e atëhershme ndaj Führer-it dhe as për devijancën e tij seksuale. Por për shkak të rivalitetit të pushtetit.

Dhe Veliaj nuk po dënohet për “krimet e tij” për inceneratorin, 5D, korrupsionin në tenderime e në betonizimin e Tiranës. As sepse e denoncoi e demaskoi opozita. Jo!

Kjo në fakt do ishte drejtësi.

As për devijancat e përfolura gjërësisht.

Po dënohet rëndom si te tjerë në histori. Thjesht se lejfenisti më shembullor i Ramës, i cili pa ëndrrën e pushtetit absolut.

Ironia

Ashtu si Röhm, apo Shehu, Xoxe e Balluku edhe Veliaj është produkt i sistemit partiak e politik që e gllabëron.

Ata që rriten në oborrin e autokratit, janë gjithmonë të destinuar të përfundojnë ose si viktima, ose si vegla.

Një regjim që ushqehet me servilizëm, ambicie dhe cinizëm, i konsumon vetë këta elementë sapo ndjen rrezik.

Cinizmi

Të dy u “ekzekutuan” nga një drejtësi që gati e quanin dhe e mbronin si hyjnore.

Historia nuk përsëritet kurrë në mënyrë identike, por ritmet dhe motivet janë të njëjta. Ndaj, pyetja është:

A do të kemi pas akuzës ndaj Veliajt e grupit të tij një “natë me thika të gjata” në Rilindje?

Apo do të jetë një “therje” e ngadaltë, me buzëqeshje, siç i ka hije një teatri grotesk me skenografi propagandistike e një që ne traditë partie që ha bijtë e vet?

Në të dyja rastet, fundi është i njëjtë: bashkëpunëtori i zellshëm përfundon viktimë e liderit që nuk fal suksesin e të tjerëve.

Të tjerët në PS i kanë vënë gishtin kokës.

Ata janë me Ramën e pranojnë më me qejf lolon se sa burgun.

Për ta Veliaj është një episod.

Lavdi Rilindjes!

About Redaksia

Check Also

Kozma Dushi dhe lufta në Vietnam

Nga Agim XHAFKA Ka vite që Rama më bën të qesh. Nuk gënjej që dhe më …