Berisha: Kodi i ri Penal ka dalë nga shpellat e mafies! Ndryshimet e shpeshta e zhysin sistemin juridik në një mjedis pasigurie

Kryetari i PD, Sali Berisha, në një konferencë me gazetarët, e cilësoi ndryshimin e Kodit Penal si një veprim të nxjerrë nga “shpellat e mafies”, duke e lidhur këtë akt me interesat e narkoshtetit dhe mafia qeveritare.

Berisha tha se, ky kod i ri, i hartuar dhe miratuar pa asnjë konsultim me faktorët e rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, është një përpjekje për të mbrojtur zyrtarët dhe ata që janë përfshirë në krime të rënda, ndërkohë që qytetarët preken nga masa të ashpra.

“Narkoshteti paraqiti dy ditë më parë narkokodin penal të Shqipërisë, në të cilin goditen pa mëshirë qytetarët, trajtohen me butësi maksimale zyrtarët dhe ata të cilët në drejtësinë e shekujve për aktet e tyre kanë marrë dënimin me vdekje, por duke e ndaluar një masë të tillë, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, vendet anëtare të Këshillit të Europës, kanë hequr dënimin me vdekje nga kodet penale dhe kanë ruajtur dënime të tjera.

Ata tani kanë të mundur plotësisht të dalin dhe të bëjnë punë vullnetare sepse janë eksponentë kryesorë të mafies qeveritare.

Nga viti 1992 gjer sot, Shqipëria ka hartuar ligje të bazuara në standardet më të mira dhe të asistuar nga institucionet kompetente evropiane.

Në këtë kontekst, në vitet ’90 u nda nga kodet e vjetra të diktaturës komuniste dhe u vendosën ligje të reja.

Natyrisht ligji nuk është një e dhënë njëherë e përgjithmonë, por veçanërisht kodet, me dinamizmin e krimit dhe veprave penale, ato pasqyrojnë ndryshimet e realitetit.

Por gjithmonë një parim nga themeluesi i parimeve të shtetit modern, Monteskje, ligji preket rrallë dhe kur preket, preket me një dorë që dridhet.

Pse kjo? Sepse stabiliteti i ligjit është kushti madhor i sigurisë juridike, e cila përbën dimension më cilësor të shtetit ligjor.

Duke përmbysur në mënyrë të vazhdueshme ligjet, ti vetë sistemin e zhyt në një mjedis pasigurie. Sistemi juridik.

Do t’u jap një shembull, ky është kodi i tretë në 30 vite.

Në vitin 1995, u miratua kodi i parë penal.

Në vitin 2014, me ndihmën e Euralius, u hartua kodi penal që është sot në fuqi. Dhe pa u mbushur 10 vite apo fiks në 10 vite, del nga shpellat e mafies, pa asnjë konsultim, nga zyrat e Edi Ramës, një tekst tjetër i ri i kodit penal.

Edhe njëherë, kodet plotësohen me veprat penale që krijohen, me praktikat që duhet të zbatohen, por të ndryshosh kod çdo 10 vite do të thotë se interesa tepër të mprehta të detyrojnë të ndërmarrësh një akt të tillë.

Dhe këtë kur e ndërmerr në mënyrë pothuaj të fshehtë, pa asnjë konsultim paraprak me faktorët kryesorë, me avokatët, me gjyqtarët, me prokurorët, me shoqërinë civile, me mediat, me deputetët, por del sikur e nxjerr nga shpella dhe e paraqet atë, tregon se nuk ke asgjë të përbashkët aty për interesat e shtetit ligjor, as të qytetarit, mbrojtjes së jetës dhe pronave të qytetarëve, por përkundrazi ke interesat e narkoshtetit, shtetit mafioz, karteleve të drogës që të imponojnë të ndërmarrësh një hap të tillë në sekret të plotë”, u shpreh Berisha,

About Redaksia

Check Also

Skandali/Drejtori i Policisë u kërkon policëve të kthejnë paratë

Mbi 100 punonjës të policisë kufitare, së bashku me drejtorin Boshnjaku, ndodhen në proces gjyqësor …