Kryetari i PD, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, theksoi se Partia Demokratike duhet të mbetet e bashkuar në parimet dhe vlerat që mbron, duke pranuar gjithashtu diversitetin brenda saj.
Ai theksoi se PD do të vazhdojë denoncimin e farsës elektorale që u zhvillua në 11 maj 2025, duke e konsideruar atë një proces të manipuluar që përbën shkelje të parimeve demokratike dhe ndërkombëtare.
Partia Demokratike është parti e lirisë, e të drejtave të njeriut. Nuk ka asnjë lloj, as impresioni as kufizimi ndaj askujt. PD po vazhdon. Sot unë kisha disa çështje, por kjo ishte çështja më kryesore, ndaj dhe unë lashë serinë e denoncimit të farsës elektorale, por po shkohet drejt finalizimit të saj dhe do të vazhdojë me vendosmëri të madhe në ndriçimin e farsës elektorale në Shqipëri dhe në botë, dhe natyrisht do të analizojë edhe punën e vet dhe do të ndërmarrë masa për përmirësimin dhe të gjitha të tjerat.
Përsa i përket, çdo anëtar, secili demokrat e ka shumë të qartë se, për Sali Berishën thelbi i lirisë është zgjedhja. Zgjedhja është një koncept i ekzistencialistëve, por që mua më duket koncepti më i drejtë për lirinë. Kështu që…
Partia duhet të jetë e bashkuar në parimet dhe vlerat që mbron.
Duhet të pranojë diversitetin, por ajo që mendoj unë është e qartë si drita e diellit se 11 maji 2025 ishte farsë elektorale.
Ata që nuk e kanë të qartë, kanë mungesë të kulturës elektorale dhe duhet të ndalen dhe të analizojnë sepse në qoftë se Këshilli i Europës rekomandon që në Shqipëri të ndahet partia nga shteti, për të gjithë njerëzit që njohin sistemet totalitare, sistemet ku partia dhe shteti janë një, e kanë të qartë se ata nuk zhvillojnë zgjedhje, zhvillojnë farsa.
Pra është një çështje bindje.
Çfarë do të thotë që në kundërshtim me ligjin dhe parimet ndërkombëtare të përdorësh 1 miliard e 500 milionë për të blerë vota dhe për të ndikuar në vota.
Këto janë paratë e buxhetit.
Janë 500 milionë prokurime.
Janë 200 milionë gjobat dhe kamatat.
Janë 444 milionë grante dhe garanci sovrane për fermerët kundrejt 44 milionëve të përdorur çdo vit më parë.
Janë 76 milionë për 760 mijë pensionistë, 100 euro për pensionist.
Nuk po llogaris këtu sa bëjnë miliona metër katrorë sipërfaqe ndërtimi. Qindra mijëra legalizime.
Sa bëjnë 100 milionë rrënjë kanabis të licencuara për t’u mbjellë, kur një rrënjë kanabis prodhon deri 1 mijë euro produkt.
Ata që kanë kulturën minimale elektorale, ata e shohin se zgjedhjet janë një farsë, dhe farsat janë tipike dukuri i narkodiktaturave, e diktaturave komuniste, naziste, teokratike dhe juntave ushtarake”, u shpreh Berisha.