Nga Iva V.GRILLO
Ashtu siç pritej, këto ishin votimet më të kushtueshme në historinë e pluralizmit (automatikisht edhe më të kushtueshmet në historikun e votimeve shqiptare).
Një nga arsyet kryesore: votimi nga jashtë.
Se çfarë prodhoi projektimi dhe administrimi i këtij votimi, e tregon “boja” e mandatit të katërt të një autokrati.
Portalet flasin vetëm për faturën financiare.
Por fatura më e rëndësishme është ajo e rrënimit të procesit zgjedhor duke shtuar në ekuacionin e ndërlikuar të demokracisë shqiptare, me shpejtësi, pa u thelluar dhe me një pragmatizëm të frikshëm vektorin e votës së diasporës… proces qe doli edhe më “kungull” se pjesa tjetër e procesit të brendshëm.
Dhe nuk kish si ndodhte ndryshe: ujkut iu varën në qafë edhe disa mëlçi të tjera.
Por duke i lënë mënjanë konsideratat se a duhej dhe nëse po, si do të duhej të votonte më mirë diaspora, le të shohim pak edhe faturën finaciare.
KQZ thotë se vetëm kostoja e postës së votës së Diasporës ka arritur diku në 9.2 milionë euro…
E papranueshme dhe e turpshme që bashkëatdhetarët tanë në atdhe të paguajnë kostot e postës që ne të votojmë nga jashtë, pa lëvizur nga divani.
Shqiperia nuk është një vend i pasur… përkundrazi.
Është jo-etike që taksat e tyre të paguajnë për komoditetin tonë për të votuar nga larg.
Prandaj ky proces “kungull i papjekur” si shumë të tjerë duhet rishikuar… jo vetëm për t’a bërë më të drejtë e me integritet, por edhe për t’u siguruar që kostoja e privilegjit që dikush të votojë nga larg… nga kolltuku i shtëpisë, nuk paguhet nga taksat pensionistëve e qytetarëve më të varfër të Evropës.
Besoj se çdo shqiptar i mirë që e njeh gjendjen e vendit nëse nuk është dot fizikisht në atdhe për votime dhe mënyra e vetme do të mbetet votë me postë, ai/ajo do t’a paguante me dëshirë koston e postimit të votës së vet nga jashtë.
Sepse kjo është e drejtë dhe e ndershme.
E në qoftë se jo, atëherë më mirë të mos lodhet… sepse vota e tij/saj nuk do i hynte në punë as dreqit.