Drejtoresha e Teatrit të Operas dhe Baletit deri në dhjetor të vitit 2024, Abigeila Voshtina, pranon se ka nënshkruar kontratë të paligjshme për një shumë totale prej 30 mijë eurosh, të cilat janë menaxhuar dhe kontrolluar nga organizatat e drejtuara nga Ajola Xoxe, bashkëshortja e kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Këtë rrëfim të sinqertë, por edhe inkriminues, Voshtina e ka bërë para prokurorëve të SPAK-ut, kur është pyetur për fondet e përdorura për aktivitetin “Festivali Ndërkombëtar i Dancit”.
Të dhënat e siguruara paraprakisht nga Prokuroria e Posaçme tregonin se drejtoresha e Teatrit të Operas dhe Baletit, Voshtina, kishte nënshkruar dy kontrata shërbimi me kompaninë “Rametal” të Elman Abules.
Por, pas këtyre kontratave, sipas deklarimeve të Abigejl Voshtinës, qëndronte Ajola Xoxe dhe qendra “Harabel”.
“Kontratat janë hartuar me kërkesë të Ajola Xoxes, e cila kishte përzgjedhur operatorin dhe kishte përcaktuar shumën. Unë nuk kam pasur asnjë kontakt me përfaqësuesit e shoqërisë “Rametal”. Ajola bëri të gjithë diskutimet financiare dhe teknike, duke përdorur një ekonomiste të qendrës “Harabel”, ka deklaruar Voshtina para grupit hetimor.
Ish-drejtoresha e Teatrit ka deklaruar se kontratat nuk ishin konform ligjit, por se ajo është detyruar t’i nënshkruajë “për shkak të presionit dhe ndikimit që Ajola Xoxe ushtronte përmes emrit të bashkëshortit të saj, Erion Veliaj”.
Ky aktivitet, megjithëse formalisht organizohej nga Teatri Kombëtar, është kontrolluar plotësisht nga Ajola Xoxe dhe kjo ka sjellë përplasje mes saj dhe drejtoreshës Voshtina.
Deklaruesja kujton një takim në Ministrinë e Kulturës me Ajola Xoxën, Tim Newman dhe sekretaren e përgjithshme Zerina Bruci, ku u diskutua buxheti për shfaqjet “Sonoma” dhe “Gravitry”. Ajola Xoxa kishte kërkuar që një shumë prej 240,000 euro të menaxhohej nga Qendra Harabel, gjë me të cilën deklaruesja shpjegon se nuk ishte dakord, pasi sipas saj fondet publike duhej të menaxhoheshin nga Teatri dhe jo nga një organizatë e jashtme. Sipas deklarueses, kjo solli krisjen e marrëdhënies midis saj dhe Ajolës.
Nga ana tjetër, deklaruesja shpjegon se kishte vështirësi me kohën, pasi procedurat duhej të zhvilloheshin gjatë muajit gusht, periudhë në të cilën stafi administrativ i Teatrit ishte i reduktuar. Për shkak të presionit dhe ndikimit që Ajola Xoxa ushtronte përmes emrit të bashkëshortit të saj, Erion Veliaj, ajo deklaron se e ndjeu veten të detyruar të firmoste dokumentet, ndonëse nuk ishin konform ligjit.”
Po kështu Ajola Xoxa vepronte duke shpërfillur drejtuesit e këtij institucioni.
“Unë kisha rezervuar tre rreshta për personalitete të ftuar sipas protokollit, por Ajola kishte marrë përsipër shpërndarjen e biletave dhe i kishte shpërndarë vetë, pa dijeninë e stafit të Teatrit të Operas”, deklaroi më tej Voshtina.
Shkeljet në nënshkrimin e kontratave mes Teatrit të Operas dhe kompanisë “Rametal” së Abules, e cila duket se në këtë rast është përdorur vetëm si mbulesë për Ajola Xoxen, janë konstatuar edhe nga drejtoresha e auditimit e Teatrit Kombëtar në atë kohë.
Kjo e fundit, e pyetur në Prokurorinë e Posaçme, deklaroi se ka pasur debate me drejtoreshën e përgjithshme, Abigejl Voshtina, pasi veprimet për këtë kontratë binin në kundërshtim me legjislacionin fiskal dhe menaxhimin e fondeve publike.
Këto të dhëna gjenden në dosjen e plotë që Prokuroria e Posaçme ka hartuar për kryebashkiakun në detyrë të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxe, si edhe disa biznesmenë.
Dosja hetimore përmban disa vepra penale, përfshirë korrupsion, pastrim parash e deklarim të rremë të pasurisë.