Nga Luçiano BOÇI
Në mes të vapës që përvëlon fshatra dhe pyje, në një vend ku toka digjet dhe ajri nuk merr frymë, Shqipëria përjeton sërish sezonin e zjarreve – një krizë e përvitshme, e paralajmëruar dhe e harruar. Por këtë herë, flakët nuk janë vetëm mbi malet e Jugut apo kodrat e veriut; ato kanë përfshirë edhe kredibilitetin e një qeverie që i ngjan një pushteti të djegur nga premtimet e veta.
Kur flasin për digjitalizim dhe smart-lidhje me satelitë, banoret e veriut apo të Dropullit nuk kanë as radio e as shpresë. Ndërsa vatrat e zjarrit përhapen si mallkimi i një shteti që ka harruar t’i shërbejë njerëzve, Kryeministri digjet në fjalime patetike, ku “vizioni” i tij tymoset bashkë me shpresat e qytetarëve.
Ky nuk është thjesht një dështim teknik. Është djegie politike. Një djegie që vjen nga arroganca për të mohuar përgjegjësinë, nga paaftësia për të ndërtuar një sistem funksional të emergjencave civile dhe nga mania për fasada e propagandë, ndërsa baza, infrastruktura dhe mbrojtja reale e territorit është lënë në mëshirë të fatit.
Prej vitesh flitet për satelitë që do kontrollonin territorin. Ku janë? Po dronët e rinj, platformat e sigurisë, institucionet “smart” që na u shitën si shpëtim? Duket se janë zhdukur në atmosferë, si tymi i një zjarri që as përballen dot, as e ndalojnë dot.
Zjarret në Shqipëri nuk janë më aksidente. Janë simbole. Simbole të rrënimit të shtetit, të boshllëkut qeverisës dhe të një politike që nuk ka më as lagështi për të shuar flakët e turpit, as fytyrë për të kërkuar ndjesë.
Në vend të strategjive për mbrojtjen nga fatkeqësitë, kemi spektakël me kostum të bardhë. Në vend të investimeve në zjarrfikëse, kemi investime në propagandë. Ndërsa zjarrfikësit luftojnë me duar bosh dhe qytetarët shpëtojnë veten me kazmë dhe bidonë uji, qeveria ka ngritur në qiell satelitë imagjinarë që bëjnë selfie nga kozmosi, por nuk ndihmojnë dot asnjë fshat që digjet.
Kryeministri nuk ndodhet aty ku ndizet rreziku – ai ndodhet aty ku ndizet kamera. Ai digjet jo për tokën, jo për njerëzit, por për famën personale që e ka ngritur mbi hirin e një vendi që s’ka më as pyje, as institucione funksionale, as sistem emergjencash.