Në vitin 2017, kryeministri Edi Rama, në një skenografi pompoze e të kuruar me kujdes, prezantoi krah arkitektit italian Stefano Boeri projektin ambicioz “Tirana 2030” – një masterplan që premtonte vizion, zhvillim dhe rilindje urbane. Në sfond u shfaq simbolikisht një vepër ikonike e historisë europiane: afresku i Ambrogio Lorenzettit “Alegoria dhe Efektet e Qeverisjes së Mirë dhe të Keqe” (1338), një manifest vizual mbi ndikimin e qeverisjes mbi qytetin qe ruhet ne Siena.
Mbi shtatë vite më vonë, ajo që fillimisht u shfaq si frymëzim etik, sot ngjan më shumë si akt akuze. Sepse Tirana është gjithnjë e më afër realitetit të errët që paraqet Lorenzetti për qytetin nën qeverisje të keqe: një mjedis i betonizuar, i zbrazët në vlerë, i dominuar nga oligarkia ndërtimore dhe i papërballueshëm për qytetarin e zakonshëm.
“Tirana 2030” u prezantua si një strategji urbane me ambicie europiane. Në realitet, ajo u kthye në një justifikim për ndërtime masive, një fasadë që legjitimoi spastrimin e hapësirës publike në emër të investimeve, ku funksioni krijues i arkitektit u zhvesh nga çdo përgjegjësi morale apo sociale. Arkitektura nuk u bë mjet për harmonizimin e qytetit, por instrument për rritjen e vlerës së truallit dhe qarkullimin e kapitalit të madh.
Boeri, mik personal i Kryeministrit, nuk u angazhua si vizionar urban, por si markë ndërkombëtare për të legjitimuar një model zhvillimi klientelist.
Ironikisht, në Itali – vendin që përfaqëson – Boeri është person i hetuar për korrupsion dhe abuzim me fondet publike, në kuadër të një hetimi për manipulime në sektorin e ndërtimit dhe projekteve kulturore. Një fakt që hedh dritë të re mbi standartet morale dhe politike të aleancave të qeverisë shqiptare.
Në thelb, Tirana nuk është ndërtuar sipas një logjike urbane, por sipas aritmetikës së fitimit për metër katror.
Kullat që ngrihen çdo muaj nuk janë përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve, por kulmimi i një modeli që ka privatizuar planifikimin. Kleringu, i pranuar indirekt edhe nga vetë Kryeministri si formë financimi, është dëshmi se ndërtimi është bërë përmes pazareve në prapaskenë, jo përmes transparencës dhe konsensusit social.
Arkitektët, të cilët Rama kërkon t’i kthejë sot në “garantë moralë”, janë në të vërtetë ose bashkëpunëtorë të heshtur të oligarkëve, ose viktima të një sistemi që i përdor si brand simbolik për vendime të marra paraprakisht nga politika dhe grupet e interesit.
Tirana sot është një qytet që e ka humbur dimensionin njerëzor, është kthyer në manifest të qeverisjes së keqe, ku ndërtimi është bërë formë e kontrollit politik dhe jo shërbim publik.
Tirana 2030 nuk është vizion, por mashtrim!
Nuk është projekt urban, por strategji e një pushteti që kërkon të mbijetojë përmes transformimit fizik të qytetit.
Dhe ndërsa në Sienën e vitit 1338, Lorenzetti i këshillonte udhëheqësit të sundonin me drejtësi për të shmangur rrënimin, në Tiranën e 2025-ës, duket se rrënimi është bërë politikë zyrtare.