Rastet e fundit që lidhen me administrimin dhe rikonstruksionin e këtij teatri kanë ndezur debatin mbi politizimin e skenës artistike në Shqipëri.
Pak ditë më parë, gazetari dhe aktori i njohur Simon Shkreli u shkarkua nga trupa e Teatrit “Migjeni”, me motivacionin zyrtar të “mungesës së efikasitetit, efektivitetit, produktivitetit dhe cilësisë në punë”.
Ai e cilësoi vendimin si një akt hakmarrjeje politike, të orkestruar nga burokratë pa lidhje me artin.
I angazhuar në teatër që prej vitit 2006, Shkreli e konsideroi largimin si pjesë të një skenari më të gjerë për të përjashtuar zërat kritikë ndaj administratës aktuale.
Ngjarja ka ngjallur reagime të forta dhe është cilësuar nga shumë zëra si një akt hakmarrjeje politike. Kjo pasi Shkreli është po ashtu edhe bashkëshorti i Eliona Shkrelit, kryetare e PD Shkodër, dhe kjo lidhje politike ka qenë në qendër të akuzave për motivet e largimit.
Rasti i përsëritur
Teatri “Migjeni” ka qenë subjekt i ndërhyrjeve nga autoritetet lokale dhe qendrore, shpesh pa një proces transparent konsultimi me artistët.
Në janar të vitit 2024, Këshilli Bashkiak i Shkodrës, me mbështetjen e kryetarit Benet Beci, miratoi një vendim për ristrukturimin e institucioneve në varësi të bashkisë, përfshirë edhe Teatrin “Migjeni”.
Ky vendim, i cilësuar nga shumë aktorë dhe qytetarë si një hap drejt shkrirjes së autonomisë institucionale, ndezi një debat të gjerë mbi politizimin e skenës kulturore në Shqipëri.
Ndërsa Bashkia e Shkodrës e cilësoi si një “ristrukturim për eficiencë dhe mirëmbajtje”, shumë figura publike e interpretuan si një përpjekje për të zhveshur institucionin nga identiteti i tij artistik dhe për ta kthyer në një zgjatim të administratës lokale.
Drejtoresha Rita Gjeka ka shprehur nevojën për një marrëdhënie të rregulluar me pushtetin: “Politika nuk mund të mbizotërojë skenën—ajo duhet të mbështesë, jo të udhëheqë”, ka thënë ajo.
Keshtu, shkarkimi i Shkrelit dhe ristrukturimi i teatrit janë parë si pjesë e një linje të vazhdueshme ku pushteti kërkon të kontrollojë artin dhe kulturoën.
Bashkëshortja e Shkrelit, Eliona Kodra, kryetare e PD-së në Shkodër, e cilësoi largimin si “hakmarrje të pastër politike” nga Benet Beci.
Kjo përforcon perceptimin se skena artistike po kthehet në një fushë përplasjesh ideologjike, ku artistët kritikë penalizohen. Në këto kushte, arti duket se po përballet me një sfidë të re: mbijetesën në një klimë ku pushteti kërkon të diktojë jo vetëm buxhetin, por edhe artin./S. Gj/