“Nuses së filanit i është premtuar zgjidhje te problemit nga kryetari në zgjedhjet e kaluara, por s’u zgjidh asgjë.”
“Ka vota nga fisi i vajzërisë, kërkon një vend në kopsht.”
Këto nuk janë thjesht fjali të dala nga ndonjë bisedë në ndonjë kafene në Fier. Janë pjesë nga regjistrat e patronazhistëve, të publikuara nga kreu i PD, Sali Berisha, si dëshmi e asaj që ai e cilësoi si “kriminalizimi elektoral më i rëndë që ka parë vendi”.
Në një konferencë me gazetarët, Berisha solli si shembull “laptopin e Lubisë”, që sipas tij, përmban të dhëna të detajuara për qindra qytetarë të përdorur nga administrata për të siguruar vota në zgjedhjet e 11 majit.
“Këtu janë të dhënat ku punojnë terroristët elektoralë që i përdori Lubi Balluku për zgjedhjet. Vazhdo, urdhëroni. Pozicioni ku punojnë. Shef shërbimi, laborante, infermiere, arkëtar provizor, specialist i lartë… Vazhdojmë… Drejtor kabineti, kryespecialist, përgjegjës sektori. Përgjegjës operativ.
Shikoni se si edhe sanitarë mund të gjeni këtu, se si Lubi Balluku në mënyrë kriminale e shndërroi të gjithë administratën shtetërore në Fier në polici politike.
Aa tani, këta terroristë politikë, kjo polici politike përdorin premtimet, miklime. Për dy vjet pension, kërkon sanitare. Shikoni si lozin me hallet e njerëzve. Urdhëroni votën tani.” ka thënë Berisha.
Fierakët, në vend të votës së lirë, kanë marrë listë dëshirash për punësim, emërime për nuse, pastruese, kopshtare, çerdhe e çdo hall tjetër që “zgjidhet me votë”.
Lista, sipas opozitës, përmban emra zyrtarësh të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve publike, spitaleve, gjykatave dhe madje edhe të burgjeve.
Mes “perlave” të tjera të përmendura:
“Ka kurs për grafik dizajn, por pranon çdo lloj pune.”
“Ka vota nga fisi me 21 anëtarë, i është premtuar punë në çerdhe.”
“Kërkon vend pune në bashki, pasi është mashtruar disa herë me premtime zgjedhore.”
Në fund të ditës, kjo skemë e patronazhistëve në Fier nuk është thjesht një abuzim me administratën publike, por një vjedhje e hapur e votës së qytetarëve.
Kur punësimet bëhen mall i këmbimit politik, demokracia e vërtetë vihet në rrezik.
Pyetja mbetet: kush do ta marrë përgjegjësinë për këtë vjedhje të së drejtës më themelore: votës?/Politiko.al