Klubi suedez BK Hacken ka siguruar kualifikimin në rrethin e tretë të Ligës së Evropës.
Kjo u bë e mundur pasi ata triumfuan pas ekzekutimit të penalltive me rezultat 4-2 ndaj gjigantit belg, Anderlecht.
Më meritori për këtë kualifikim të suedezëve ishte padyshim portieri shqiptar, Etrit Berisha.
Berisha u tregua fenomenal në këtë takim, duke arritur të presë një penallti dhe duke shënuar atë vendimtaren.
36-vjeçari u tregua ‘i ftohtë’ nga pika e bardhë për të realizuar penalltinë e katërt, e cila i dha kualifikimin ekipit të tij dhe eliminoi Anderlechtin e Besnik Hasit.
Momente të tilla kur një portier pret një penallti dhe shënon një tjetër janë të rralla dhe në këtë natë evropiane Berisha ishte protagonist i një skenari të tillë.