Nga Alba KEPI
Dështuan kampet– fitoi drejtësia, fitoi njeriu kundrejt çdo pakti e aleance politike!
Në një kohë kur Europa po kërkon zgjidhje të reja për menaxhimin e migracionit, një marrëveshje e paprecedentë u nënshkrua mes Italisë dhe Shqipërisë: ndërtimi i qendrave për mbajtjen e emigrantëve në territorin shqiptar, por nën juridiksionin italian. Marrëveshja u prezantua si “zgjuarsi gjeopolitike”, si një model efikas që bashkon pragmatizmin me miqësinë mes dy popujve. Por pas kësaj fasade, drejtësia europiane sapo ngriti një dritë të kuqe që nuk mund të injorohet.
Vendimi i fundit i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian, i cili thekson se asnjë vend nuk mund të shpallet “i sigurt” në mënyrë të pakontrollueshme nga gjykatat, i jep të drejtë atyre që që në fillim e kanë denoncuar këtë model si antinjerëzor, juridikisht të brishtë dhe etikisht të rrezikshëm.
Gjykata europiane e tha qartë: nuk mund të ketë përshpejtim të procedurave në dëm të transparencës, të drejtës për mbrojtje dhe të së vërtetës.
Ajo që bie në sy në këtë histori nuk është vetëm paaftësia për të zbatuar drejtë një marrëveshje të ndërlikuar, por mbi të gjitha mungesa e një vizioni etik. Sepse përballë çdo ligji, çdo pakti dhe çdo “strategjie menaxhimi”, është një njeri, një grua, njê fëmijë, njê prind që kërkon jetë dhe mbrojtje. Ata nuk janë numra, nuk janë dosje që duhen trajtuar në mënyrë të përshpejtuar dhe larg syve të publikut.
Protokolli i nënshkruar në Romë më 6 nëntor 2023 dhe ratifikuar pa debat të hapur publik, mbeti një pakt i errët, ku transparenca mungon, roli i gjykatave minimizohet, dhe kontrolli demokratik shmanget. Në emër të “efikasitetit” u ndërtua një skemë që sot bie ndesh me vetë parimet themelore të Bashkimit Europian.
Ajo që dështoi këtu nuk është vetëm një projekt logjistik.
Dështoi një model politik që mendon se njeriu mund të trajtohet si një pengesë, dhe jo si qëllimi vetë i politikës. Dështoi bindja se drejtësia mund të anashkalohet me procedura. Dështoi një retorikë që e sheh emigrantin si barrë, jo si qenie njerëzore.
Drejtësia fitoi.
Kampi në Shqipëri nuk është zgjidhje. Është simptomë e një politike që e ka humbur busullën morale. Është koha për të ndërtuar alternativa që respektojnë ligjin, dinjitetin dhe të ardhmen.
Marrëveshja Rama–Meloni është pasqyrë e një kohe ku frika udhëheq politikën dhe ku liria sakrifikohet në emër të kontrollit. Por siç e dëshmon vendimi i fundit i drejtësisë europiane, ekziston ende një bosht që nuk lejon të humbasim ekuilibrin: e drejta për t’u dëgjuar, për t’u mbrojtur, për të ekzistuar si qenie njerëzore.
PS; Kam ndjekur këtë çështje nga afër, duke raportuar nga çdo terren ku kjo marrëveshje ka nisur të zbatohet: nga portet e tranzitit në Itali, deri në sheshet boshe në Gjadër ku po ndërtohen kampet, nga zyrat politike në Romë, deri tek reagimet në Bruksel, ku skepticizmi europian është i dukshëm. Kudo, një pyetje qëndronte pezull: A mund të eksportohet përgjegjësia?