Mediat e financuara nga Erion Veliaj kanë ndërmarrë një ofensivë kundër Edi Ramës dhe Ulsi Manjës, pas betimit që kryebashkiaku ka bërë se, “ministrin që ma bëri s’do e fal për 7 breza, do e shkrij”, e ka fjalën për përgjimin gjatë qëndrimit në qelinë e burgut në Durrës.
Në momentin e parë që Rama doli dhe mohoi të ketë dijeni për ndryshimet në Kodin e ri Penal, dhe ia kaloi përgjegjësinë Arben Rakipit, mediat e Veliaj publikuan fotot e Ulsi Manjës me ‘ekspertët e pavarur’ të grupit të punës.
Portali i afërt me kryebashkiakun e burgosur, Tema, ka zbuluar se kush janë këta gjenitë e jurispundencës, që do burgosnin shqiptarët vetëm sepse mund të ‘përbuznin’ udhëheqësit, duke filluar një luftë të hapur me ministrin e Drejtësisë të Edi Ramës, Ulsi Manjën, për llogari edhe të çuarjes në vend të betimit të Veliajn, “do ta shkri në shtatë breza”.
“Dy vite më parë, në Drilon, është zhvilluar një takim i rëndësishëm për hartimin e Kodit të Ri Penal, ku Grupi i Punës është fotografuar në një drekë pune larg syrit të mediave. Pamja e publikuar së fundmi hedh dritë mbi një fazë të hershme të procesit që sot ka ngritur debat të gjerë publik.
Në foto të Grupit të Punës shfaqet ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe drejtuesi i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi.
Edhe pse sot ka një debat të gjerë lidhur me draftin dhe hartimin e tij, duke u deklaruar se Ministria e Drejtësisë nuk ka qenë pjesë e përgatitjes së draftit, pamjet që qarkullojnë tregojnë të kundërtën. Fotografia dy vite më parë në Drilon flet vetë”, shkruan Tema në artikullin e saj.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, qoftë Mero Baze i Temës dhe Carlo Bollino i Shqiptares, i janë vënë në fyt ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, si koka hartuese e Kodit të ri Penal.