34-vjeçari Juxhin Drazhi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në qytetin e Granadës, falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit.
Operacioni u finalizua pas një shkëmbimi të shpejtë informacioni mes dy zyrave të Interpolit, duke çuar në lokalizimin e Drazhit, i cili fshihej në një vilë luksoze të vendosur në një zonë të izoluar, që i mundësonte kontroll të plotë mbi lëvizjet përreth.
Në momentin kur konstatoi praninë e policisë, Drazhi tentoi të arratisej, por u neutralizua nga forcat e rendit.
Ndaj tij rëndojnë disa akuza të rënda, përfshirë: “Trafikim i lëndëve narkotike” kryer në formën e bashkëpunimit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”. Ai pritet të ekstradohet së shpejti në Shqipëri, ku do të përballet me drejtësinë.
Ky arrestim përbën një tjetër goditje ndaj rrjeteve kriminale ndërkombëtare dhe një tregues i qartë i bashkëpunimit efektiv mes agjencive ligjzbatuese shqiptare dhe atyre ndërkombëtare.
Gazeta RD