Gazment BARDHI
Nuk po u besoja syve si qytetar, si jurist dhe si deputet, teksa shihja se si forcat e policisë së një vendi kandidat për në BE kanë rrethuar redaksinë e televizionit më të ndjekur informativ, News24, redaksinë e Balkanweb, Gazetës Panorama dhe Gazetës Shqiptare, duke i penguar të ushtrojnë misionin e tyre të shenjtë – atë të informimit me paanësi dhe profesionalizëm të publikut.
Ky është një akt tronditës, një sulm i paprecedentë dhe represion policor ndaj fjalës së lirë. Me këtë vendim tërësisht arbitrar dhe të paligjshëm, është cenuar në mënyrën më brutale liria e medias një vlerë e shenjtë për demokracinë e një vendi. Gazetarët janë nxjerrë forcërisht nga ambientet e punës, ndërkohë që medias më të ndjekur informative News24, i është hequr në mënyrë brutale energjia dhe transmetimi.
Kjo ndërhyrje është kriminale dhe shoh se aksioni banditesk po udhëhiqet nga një kriminel, si Ardi Veliu, që ka zaptuar forcërisht ambientet e News24. Ardi Veliu, njeriu që mbahet mend vetëm për lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe që ka me mijëra faqe transkripte në SPAK që provojnë se është shërbëtor i bandave.
I bëj thirrje SPAK të veprojë menjëherë jo vetëm ndaj këtij krimineli recidivist, që prej kohësh duhet të ishte në burg, por edhe ndaj këtij sulmi të paprecedentë ndaj medias së lirë. Është detyrë e çdo institucioni të pavarur ligjzbatues që të ndalë dhunën brutale ndaj një lirie të shenjtë, siç është liria e medias. Veproni sot ose nesër do jetë shumë vonë!