Vrasje shtetërore e fjalës së lirë!

Nga Luçiano BOÇI

Një shoqëri demokratike matet jo nga fjalët e bukura të politikanëve, por nga mënyra se si trajton median e lirë.

Rrethimi i Neës24 është një sinjal i fundit se në Shqipëri, pushteti është gati të përdorë metoda brutale për të mbyllur zërat kritikë e vrarë lirinë e fjalës.

Ky nuk është një incident i izoluar apo masë institucionale. Është ekzekutim publik. Është vazhdimësi e një strategjie të qëndrueshme për të nënshtruar median.

Në vitet e qeverisjes së Edi Ramës, kemi parë kapjen e televizioneve përmes financave, shpërndarjen selektive të reklamave shtetërore, përdorimin e gjobave dhe ligjeve si “Paketa Anti-Shpifje” për të frenuar portale të pavarura.

Kemi parë sulme e mbyllje si me “Agon Channel”.

E çfarë nuk kemi parë!!?

Ndërkohë, kryeministri ka sulmuar publikisht gazetarët, duke i quajtur “kazanë” dhe “plehra”.

Kjo retorikë nuk është thjesht denigruese. Është një strategji për t’i delegjitimuar në sytë e publikut, për t’i linçuar, duke krijuar një klimë ku presioni ndaj tyre duket i pranueshëm.

Rrethimi i një redaksie është një akt i rëndë, që shkon përtej presionit mediatik.

Është një mesazh kërcënues për çdo gazetar dhe çdo media: “Kush nuk hesht, do të përballet me forcën”.

Dhe kur një media izolohet fizikisht, nuk rrethohet vetëm një ndërtesë por rrethohet vetë e vërteta.

Raportet e “Reporterëve pa Kufij” tregojnë se Shqipëria ka rënë ndjeshëm në renditjen e lirisë së shtypit. Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i politikave dhe veprimeve që kanë mbytur hapësirën për fjalën e lirë.

Sot është Neës24.

Nesër mund të jetë çdo zë tjetër që guxon të pyesë dhe të kritikojë.

Në një vend ku media rrethohet ka triumfuar diktatura.

Nëse qytetarët heshtin përballë kësaj, atëherë heshtja do të bëhet norma dhe propaganda do të jetë e vetmja gjuhë publike.

Fjalën e lirë nuk e mbron vetëm gazetari.

E mbron çdo qytetar që nuk pranon të jetojë në errësirë.

About Redaksia

Check Also

Kapja e drejtësisë! Pse KLP dhe SPAK janë nyja kyçe e rikthimit të shtetit ligjor

Nga Genc GGJOKUTAJ Shqipëria sot është përballë një sfide serioze: a do të kemi një drejtësi …