Nga Irena BEQIRAJ
“Ambicia është që Shqipëria 2030 të jetë vendi mikpritës i garës së Formula 1, diçka e pakonceptueshme deri para disa kohe. Ja që ne ia dalim edhe aty ku në një farë mënyre basti duket i pamundur,” thotë Kryeministri Rama.
Kaq ka mjaftuar dhe në listën e prioriteteve të investimeve publike janë parashikuar 190 milionë euro për ndërtimin e pistës së Elbasanit. Ekonomia e ndërtimit të këtyre fasiliteteve sugjeron që 190 milionë euro nuk janë stratosferike, siç thotë opozita, por një shumë e pamjaftueshme për të ndërtuar këto pista. Padyshim, si çdo parashikim i këtij lloji, fillon me pak, por gllabëron shumë më shumë para nga buxheti i shtetit.
Si në çdo rast, përdorimi i fondeve publike për financimin e organizimit të ngjarjeve të mëdha sportive si F1 justifikohet nga ideja se këto investime ndikojnë në rritjen e aktivitetit ekonomik. Sipas qeverisë, kostot e këtyre ngjarjeve ia vlejnë, sepse rrisin turizmin dhe krijojnë një efekt identiteti që promovon vendin ose qytetin mikpritës.
Pra, F1 dhe pista e saj, do të jenë “një motor i ekonomisë,” siç e quan Rama, por duhet theksuar “i ekonomisë së bazuar në konsum,” dhe do të ndikojë në marketimin e vendit ose në mënyrën sesi Elbasani apo Shqipëria do ta shohë veten.
Për ekonomistët e zhvillimit, basti i pamundur për Shqipërinë do të ishte një ekonomi e bazuar në prodhim dhe jo në konsum, dhe një Shqipëri që flet vetë, e që nuk ka nevojë për shumë kallauzë ose marketing kaq të shtrenjtë.
Ndërsa për një taksapagues, paratë e të cilit do të shkojnë për të arritur bastet e pamundura të vizionit afatshkurtër të Kryeministrit, pyetja do të ishte: Sa është përfitimi ekonomik që ka vendi nga investimi i parave të buxhetit në një pistë të F1?
Duke qenë se vizioni i qartë i qeverisë nuk i pranon studimet e fizibilitetit si një instrument për të mbështetur vendimmarrjet, le të i referohemi eksperiencës europiane.
Të dhënat dhe studimi i efekteve ekonomike të prekshme të garave F1 në rajonet europiane nuk e mbështesin pretendimin se mikpritja e një eventi të garave F1 sjell efekte pozitive në Prodhimin e Brendshëm Bruto për banorë, punësim ose turizëm në rajonet europiane. Përkundrazi, duket se lënë prapa një trashëgimi negative ekonomike që materializohet tre deri në katër vjet pas eventit.
E pra, argumenti se përdorimi i fondeve publike për të organizuar gara F1 është një investim i arsyeshëm, qoftë edhe për nxitjen e ekonomisë së konsumit, bie. Shumica e studiuesve ekonomikë bien dakord se ato ekzistojnë vetëm në letër dhe kurrë nuk kthehen në realitet.
Por mungesa e përfitimeve ekonomike nuk do të thotë që organizimi i F1 nuk ka asnjë vlerë. Që në lashtësi, sportet janë përdorur për të shpërqendruar masat, për të testuar politikat e jashtme, për të shkrirë tensionet diplomatike dhe për të transmetuar mesazhe politike dhe shoqërore.
Shfrytëzimi i sporteve nga fashistët, diktatorët dhe udhëheqësit ushtarakë për të përmirësuar reputacionin dhe për të legjitimuar autoritetin e tyre përfshin një spektër shembujsh të pafund. Fakti që kjo praktikë e përdorimit të sportit për konsolidimin e pushtetit vazhdon deri në kohët bashkëkohore, tregon se autokratët modernë nxjerrin mësime të vlefshme nga gabimet e paraardhësve të tyre.
Pra, në vend të “një motori ekonomik,” F1 do të jetë një mundësi ekselente e shfrytëzimit të popullaritetit të këtij sporti brenda kulturës popullore për të manipuluar perceptimet e brendshme dhe globale të Shqipërisë Europiane.
E pra, Rama e ka mësuar leksionin që vjen nga historia. Taksapaguesit e këtij vendi akoma jo!