Ndërsa flakët kanë përfshirë zona të tëra në Delvinë, banorët e disa fshatrave të goditura nga zjarri kanë ngritur zërin për mungesën e strukturave të emergjencës dhe indiferencën e autoriteteve shtetërore.
Në një rrëfim për mediat, banorët deklarojnë se zjarri u përhap deri pranë shtëpive, ku “u dogjën dy a tri banesa”, ndërsa asnjë zjarrfikëse nuk mbërriti për të ndihmuar.
“Vetëm njerëz me tuba dhe kova uji në dorë, pa asnjë ndihmë zyrtare”, tregojnë ata.
Sipas tyre, zjarrfikëset e ardhura nga Himara dhe Saranda ishin të përqendruara në zonat më të larta të malit, ndërsa komunitetet më të afërta me qytetin u lanë pas dore.
“E fikëm zjarrin vetë, me duart tona”, – thotë një banor, i cili shton se vetëm nga zjarri i fundit janë djegur mbi 100 rrënjë ullinj shekullorë.
Shënim: Video e marrë nga ‘Saranda Web’
Në gjithë këtë situatë të rënduar, banorët theksojnë se Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu nuk ka qenë prezent në terren, pavarësisht se qeveria ka deklaruar përfshirje të forcave të emergjencës.
“Jemi lënë në mëshirë të fatit”, – thonë qytetarët, ndërsa kërkojnë që jo vetëm të jepet ndihmë e menjëhershme për pasojat, por të hetohet edhe pse struktura të tëra nuk janë vënë në lëvizje për mbrojtjen e banesave dhe pronave.