Këshilltari për Çështjet Ekonomike i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti, në një postim të publikuar në Facebook, ka reaguar ndaj një ngjarjeje të paprecedentë që ka ndodhur ditët e fundit me ambjentet dhe punonjësit e News24.
Teliti denoncon ndalimin e gazetarëve nga policia ushtarake për të hyrë në ambientet e punës, pavarësisht një vendimi gjykate që ua njeh këtë të drejtë.
Në një kohë kur Shqipëria digjet nga flakët në të gjitha krahinat dhe qytetarët kërkojnë ndihmë, Teliti thekson se në vend që ushtria të dërgohet për të shuar zjarret, përdoret për të kufizuar lirinë e medias.
Ai e cilëson këtë një akt dhune shtetërore ndaj fjalës së lirë dhe një shkelje të rëndë të demokracisë.
Reagimi
DËRGONI USHTRINË PËR TË LUFTUAR FLAKËT, JO MEDIAN E LIRË!
Në Shqipëri ndodh e paimagjinueshmja: policia ushtarake ndalon hyrjen e gazetarëve të News24 në ambientet e punës, pavarësisht një vendimi gjykate që i jep të drejtë ligjore medias.
Kjo është shkelje brutale e lirisë së shtypit, një akt i pastër shtetëror dhune ndaj fjalës së lirë dhe informimit publik.
Në vend që të dërgojë ushtrinë për të shuar flakët që po djegin Shqipërinë, qeveria përdor forcën ushtarake kundër gazetarëve!
Ku ta gjejnë të drejtën gazetarët kur vetë shteti nuk zbaton vendimet e gjykatës?
Këto akte të paprecedentë duhen dënuar ashpër dhe lipset për reagim të menjëhershëm nga qytetarët, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë.
Media e lirë është shtyllë e demokracisë!