Berisha në bjeshkët e Istogut me grupin e politikanëve gjermanë

Sali BERISHA

Miq, 24 orët që kaluan ishin një udhëtim në rininë time.

Në Istog shkova i ftuar nga një mik i imi, Gani Dreshaj, politikan dhe biznesmen i Kosovës, ish-luftëtar i lirisë, për të marrë pjesë në festën e 60-vjetorit të lindjes së tij.

Pas një ndalese të shkurtër dhe takimit me miqtë e përbashkët gjermanë, deputetin e Bundestagut, Peter Beyer, politikanin e shquar, Elmar Brock, ish-komandantin e KFOR-it në Kosovë gjeneralin Bühler, si dhe gazetarë e biznesmenë gjermanë, u nisëm për në zemër të bjeshkëve të Junikut, në Lugun e Butë.

Në mesin e një bredhishtë madhështore ndodhej shtëpia e Ganiut, në oborrin e së cilës u organizua festa. Në rrethimin e shtëpisë ngrihej një muranë në kujtim të gjyshit të tij, mjekut Syl Dreshaj, gjyshes dhe xhaxhait të ekzekutuar nga ushtria serbe gjatë bombardimeve të NATO-s.

Në Lugun e Butë na pritën me shumë përzemërsi i ati i Ganiut, bashkëshortja, vëllezërit, motrat, fëmijët dhe rrethi i tyre familjar. Familja Dreshaj është një familje e madhe atdhetare me kontribute të veçanta në të gjitha kohërat e luftërave për liri. Në këtë traditë, të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, edhe në luftën e fundit, në radhët e UÇK-së, firmosën me trimërinë dhe gjakun e tyre lirinë që gëzojmë sot në Kosovën e pavarur.

Darka ishte vërtet magjepsëse, jo vetëm për vendin, logun e zanave ku shtrohej, por edhe për atmosferën festive të miqve e të ftuarve, këngët e artistëve dhe shërbimin e përkryer. Ishte një mbrëmje frymëzuese dhe mund të shkruaja gjatë për të, por po e mbyll duke i uruar edhe një herë Ganiut edhe 120 vite të tjera plot shëndet, gëzim dhe suksese me më të dashurit e tij.

About Redaksia

Check Also

Ish-deputeti i PS shton akuzat: Rama është një rast klinik

Ish-deputeti i PS, Nazmir Bilani ka hedhur akuza ndaj Edi Ramës. Me anë të një …