Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për manipulim të dhënave zyrtare, këtë herë në sektorin e turizmit.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se, vendi po përjeton një rënie dramatike të turizmit, veçanërisht në jug dhe në zonat bregdetare të Durrësit, por qeveria po përpiqet të mbulojë këtë realitet përmes falsifikimit të statistikave.
Sipas tij, qeveria e Edi Ramës ka nisur të përfshijë në statistikat turistike edhe pasagjerët që kalojnë transit në aeroportin e Rinasit, gjë që bie ndesh me çdo standard ndërkombëtar.
“Nuk nxjerrim ne shifrat, por ne kemi denoncuar siç ju kujtohet vjet, me forcën më të madhe rënien dramatike të turizmit dhe kemi vazhduar të denoncojmë. Këtë vit ka qenë dhe më e madhe.
Problemi është këtu. Konfuzioni në shifra, vjen nga konfondimi në Shqipëri i pasagjerit me turistin. Në përcaktimin e Organizatës Botërore të Turizmit, edhe vizitori duhet të dallohet nga turisti.
Dhe pasagjeri nuk mund të llogaritet në turizëm. Pasagjeri që kalon transit nuk është as vizitor, as turist. Këta marrin shifrat e aeroportit të Rinasit dhe i servirin si turizëm.
Por ky vit ka qenë katastrofë në radhë të parë për jugun e Shqipërisë. Siç është dëshmuar me mijëra, mijëra shtretër hotelesh dhe shtëpish, bosh. Ky vit ka qenë i dobët dhe për Durrësin, zonën nga Durrësi gjer në Spille, e cila ç’është e vërteta me Golem, Qerretin, Karpenin e këto është përgjegjës për 70% të shtretërve të turizmit në Shqipëri.
Dhe ka qenë në nivel qartësisht të ulët.
Turizmi filloi mirë në vendet turistike të veriut, ku zakonisht 80-90% e tyre janë të huaj, por aty Edi Rama me një akt barbarie të vërtetë, ndërhyri dhe rrafshoi 100 ndërtime që të gjitha në tokën e të zotëve dhe të gjitha në zonën e lejuar urbane të ndërtimeve.
I dha një goditje. Me mijëra turistë, pasi panë pamjet anuluan porositë që kishin bërë në Theth dhe në zona të tjerë të veriut.
Këta do përpiqen, thashë siç përdorën naftën e Kosovës për eksport, se në Porto Romano shkarkohet anija, është port energjetik, me destinacion Kosovën, mundet dhe Serbinë Jugore, nuk mund të them. Por po kështu do ta mbushin numrin me pasagjerët e Rinasit”, u shpreh Berisha.