Mediat sllovene raportojnë se problemet me financat të kompanisë shqiptare janë bërë shkak i anullimit të planit për të rikthyer fluturimet direkte Lubjanë-Tiranë.
“Aeroporti i Lubjanës ka konfirmuar se Air Albania ka hequr dorë nga ideja e rifillimit të fluturimeve midis dy kryeqyteteve, që ishin parashikuar të nisnin më 1 shtator. Aeroporti deklaroi problemet financiare si arsye të këtij vendimi”, shkruajnë mediat sllovene.
Fluturimi i fundit Lubjanë-Tiranë është regjistuar në vitin 2018.
Financat e Air Albania kanë qenë shpesh temë debati midis qeverisë dhe opozitës, me këtë të fundit që akuzon ekzekutivin për shfrytëzim “privat” të një kompanie shtetërore. Kryeministri Rama akuzohet se ka përdorur “free” avionët e kësaj kompanie, që kanë një kosto mijëra dollarëshe për një udhëtim.
Të dhënat për këtë kompani janë të paaksesueshme për shkak se prej 7 vitesh nuk ekziston asnjë bilanc i saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Bilanci i fundit është ai për vitin 2018 me 12,265,000 lekë humbje neto. Gjatë kësja kohe, Air Albania ka shkelur ligjin “Për Regjistrimin e Biznesit”.
Më herët, kompania është vënë nën sekuestro nga zyrat përmbarimore, për shkak të detyrimeve të pashlyera.