Berisha: Përfaqësuesi i çunave të Dubait miraton urdhrin e Ramaduros për kullat e tyre të drogës!

Miratimi i projektit për ndërtimin e kullave shumëkatëshe në stadiumin “Flamurtari” dhe Pallatin e Sportit ka sjellë një reagim të ashpër nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, Berisha akuzoi kryebashkiakun Ermal Dredha si zbatues të verbër të urdhrave të kryeministrit Edi Rama dhe si përfaqësues të oligarkëve që po grabisin qytetin.

“Përfaqësuesi i çunave të Dubait miraton urdhrin e Ramaduros për kullat e tyre të drogës!”, shkroi Berisha, duke e cilësuar projektin një aferë të rëndë që shkatërron pasuritë publike dhe i kalon ato në duart e biznesmenit Sinan Idrizi.

Sipas tij, pas vendimit të Këshillit Bashkiak, Vlora humb dy nga asetet e saj më të rëndësishme sportive, ndërsa qyteti kthehet në shesh betoni për interesa private. Berisha u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin debatin në Këshillin Bashkiak për të parë sesi, sipas tij, “pushteti lokal nuk i shërben më qytetit, por vetëm klientelës së Ramës”.

Reagimi i liderit demokrat vjen pasi mes kundërshtive të forta, Këshilli Bashkiak i Vlorës miratoi projektin e shumëdebatuar që parashikon ndërtimin e kullave shumëkatëshe në stadiumin “Flamurtari” dhe në Pallatin e Sportit.

Vendimi u shtyu përpara nga kryebashkiaku Ermal Dredha, i cili sipas opozitës po vepron si “noter i oligarkëve”, duke i kaluar pasuritë publike biznesmenit të njohur Sinan Idrizi.

Opozita e akuzoi Dredhën dhe qeverinë socialiste se po shkatërrojnë trashëgiminë sportive të qytetit për të favorizuar interesat private. Përfaqësuesit e opozitës theksuan se ky është një tjetër akt i kapjes së pasurive publike, ku qytetarët humbin, ndërsa një grusht biznesmenësh përfitojnë miliona.

Në mbledhje, Dredha u mbrojt duke premtuar një stadium të ri modern në vend të infrastrukturës së amortizuar, por shmangu çdo koment për përfitimet e drejtpërdrejta të Idrizit. Ky qëndrim ngriti dyshime të mëdha për transparencën e projektit dhe për interesat reale që fshihen pas tij.

Megjithëse qyteti kërkon zhvillim, mënyra si u miratua projekti – me 30 vota pro, vetëm 4 kundër dhe 1 abstenim – shihet si një vendim i imponuar, që injoron zërin e qytetarëve dhe të opozitës. Projekti, i konsideruar si një nga më të mëdhenjtë në jug të vendit, pritet të kthehet në simbol të betonizimit dhe grabitjes së aseteve publike në emër të “zhvillimit”.

About Redaksia

Check Also

Gazetarët në Shqipëri praktikojnë vetë-çensurim për shkak të presioneve

Liria e medias në Shqipëri po përballet me sfida serioze, sipas Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit …