“Një meteor në qiellin e Labërisë”, një libër kushtuar poetit Avni Varfi

Nga Bujar Leskaj

Sot, datë 20 gusht 2025 mora pjesë në promovimin e librit përgatitur nga studiuesi i mirënjohur prof.dr Bardhosh Gaçe “Një meteor në qiellin e Labërisë”, kushtuar poetit vlonjat Avni Varfi, si dhe në përkujtimoren e jetës dhe veprës së tij. Ky botim prej afro 300 faqesh është një dëshmi e gjallë e figurës së një poeti që u bë pjesë e identitetit kulturor e shpirtëror të Labërisë dhe më gjerë.

Avni Varfi nuk ishte thjesht poet; ai ishte një ndër zërat më të ndjeshëm e më të fuqishëm të këngës dhe poezisë labe. Me një talent të lindur dhe me një lidhje të pashkëputshme me vendlindjen, ai arriti të krijojë një profil poetik të veçantë, duke u bërë frymëzues i këngës popullore, studiues i kulturës dhe bartës i shpirtit të Labërisë.

I lindur më 11 shkurt 1951 në Vranisht, truall i kapedanëve, heronjve e intelektualëve të shquar, Avni Varfi mbeti i lidhur ngushtë me vendin e tij deri në frymën e fundit, më 2 tetor 2022. Vranishti ishte për të “qendra e gravitetit”, burimi i frymëzimit, vendi ku identiteti dhe poezia e tij merrnin jetë.

Poezia e tij pasqyron me mjeshtëri ndjeshmërinë njerëzore, kujtesën e përbashkët, peizazhet shpirtërore dhe ritmin e jetës popullore. Në pak vargje, ai arrinte të thoshte shumë, duke krijuar një realitet artistik autentik, që përshkruan Labërinë jo vetëm si hapësirë gjeografike, por si gjendje shpirtërore dhe kulturë. Pikërisht kjo e bën poezinë e tij një “pikturë psikologjike”, një portret të gjallë të njerëzve dhe jetës së krahinës.

Figura e Avni Varfit është përtej kufijve lokalë: ai nderon jo vetëm Vranishtin e Labërinë, por gjithë kulturën shqiptare. Vepra e tij është vlerësuar dhe vlerësohet edhe nga emra të mëdhenj të letrave shqipe,të cilët i njohin vendin që meriton në letërsinë kombëtare.

Avni Varfi mbetet një poet me dinjitet të rrallë, i cili derdhi shpirtin në art dhe u bë zë i brezave, duke i dhënë kulturës sonë një pasuri që do të jetojë gjatë.

About Redaksia

Check Also

Shkodranë, çohuni i dilni zot identitetit të Shkodrës!

Nga Eliona Kodra SHKRELI Kjo ‘vepra e artit’ që s’di t’a lexoj çfarë kuptimi ka, …