Nga Petrit VASILI
Antireforma, qe e ktheu drejtesine ne nje kufomë perballe pushtimit narkomafioz te shtetit!
Në këtë moment kaq kritik për Shqipërinë, ku narkoshteti është fakt dhe korrupsioni e pastrimi i parave diktojnë ligjin, natyrshëm të gjithë i kishin sytë nga drejtësia dhe veprimet e saj. Por, për turp e faqe të zezë, asgjë s’ndodhi.
Krijimi i organizmave speciale ligjore si SPAK dhe BKH, forcimi gjoja i pavarësisë së prokurorëve për ndjekjen e çështjeve, Vettingu që do të siguronte standarde të larta morale dhe profesionale e që dështoi me turp ishin, pra, premisa që teorikisht drejtësia do të përballej fort me krimin, korrupsionin dhe pastrimin e parave.
Por kapja e Reformës në Drejtësi nga Rama dhe qeveria e shndërroi atë në Ramaformë dhe e ktheu në një kufomë që kutërbon erë antiligj dhe është kthyer në mburojë të pandëshkueshmërisë së narkoaferave të qeverisë.
Gjunjëzimi përballë narkoshtetit i ka dhënë terren të pafund atij për t’u forcuar dhe për të rrënuar shtetin ligjor, duke rrezikuar çdo individ, biznes dhe interes kombëtar.
Ramaforma në drejtësi rezulton atentati më i rëndë dhe më i organizuar kundër shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Ajo është sot garancia më e fortë për çdo aferë antiligjore të qeverisë dhe krimit.
Një drejtësi që paturpësisht nuk lëviz as gishtin, edhe përballë fakteve, provave dhe dokumenteve të bëra publike të cilat i kanë parë të gjithë shqiptarët provon se ajo është pikërisht drejtësia që krimi dhe korrupsioni duan.
Ramaforma zhduku çdo arritje të bërë ndër vite në sistemin e drejtësisë, duke rezultuar në procesin më destruktiv ndaj tij dhe duke tronditur në themel besimin e shqiptarëve te drejtësia.
Sot, mundësia për të marrë drejtësi kur përballë ke qeverinë është zero, dhe pabarazia përpara ligjit mbizotëron kur duhej të ishte krejt e kundërta.
Anarkia, korporatizmi, antimorali, antiprofesionalizmi dhe njëanshmëria në favor të qeverisë dhe narkokrimit janë, fatkeqësisht, tiparet e sistemit të drejtësisë sot.
Ndaj, kushdo që bën avokatin e Ramaformës në drejtësi duhet parë si avokat i antiligjit dhe korrupsionit të Ramës dhe qeverisë së tij.
Drejtësia sot, nga gardiani i ligjit, është kthyer në fajtore kryesore për mosndëshkimin e paligjshmërisë.
Mbyllja e syve përpara krimit zgjedhor të 11 majit, ku mijëra fakte e prova absolutisht të pakontestueshme janë sheshit, tregon se kemi një drejtësi të neveritshme.
Ndaj, sot kësaj Ramaforme duhet t’i dilet përballë fort, pa asnjë kompromis, për një kufomë që kutërbon, pavarësisht edhe nga presionet e ndërkombëtarëve – të cilët rezultojnë të jenë përgjegjës të rëndësishëm për lejimin e kapjes së saj nga qeveria dhe shkatërrimin e sistemit, duke e kthyer në një leckë që fshin këpucët e qelbura të Ramës dhe të qeverisë së tij.
Gazeta RD