Kalaja denoncon ndërhyrjen e kryetarit të Gjykatës së Lartë në skandalin e Fondacionit të Dalina Ficos

Avokatja Adrijana Kalaja ka denoncuar ndikimet e paligjshme që po ushtrohen nga persona të lidhur me fondacionin e menaxhimit “Lindje-Perëndim” të Dalino Ficos, si dhe ndërhyrjet e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, me qëllim kapjen e sistemit gjyqësor.

Në një prononcim për mediat Kalaja ka treguar mungesën totale të transparencës dhe përgjegjshmërisë nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), duke theksuar se ky institucion refuzon të japë informacion të qartë mbi zbatimin e memorandumit të bashkëpunimit me USAID-in.

Ajo bëri publike dokumente që vërtetojnë shkelje serioze ligjore, përfshirë mosdhënien e informacionit mbi menaxhimin e dosjeve stok dhe mënyrën e rekrutimit të punonjësve përgjegjës për këto çështje.

“E gjitha kjo ka si qëllim kryesor kapjen e sistemit gjyqësor dhe ndërhyrjen e njerëzve të fondacionit të menaxhimit Lindje-Perëndim të Delina Ficos, nëpërmjet ushtrimit të ndikimit të paligjshëm dhe të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

Nëse vini re në dokumentin që unë po bëj publik, në fakt është një skandal i vërtetë për vetë përmbajtjen e memorandumit midis KLGJ-së dhe USAID-it.

Neve na vjen një përgjigje ku KLGJ-ja, në falimentim të plotë në raport me administrimin e sistemit gjyqësor, thotë se: “Ne nuk i kemi këto të dhëna, por këto ndodhen në sistemin e menaxhimit Lindje-Perëndim dhe në Gjykatën e Lartë.”

Ndërkohë që, me dokumentin tjetër që unë bëj publik, i kërkohet Gjykatës së Lartë nga KLGJ që t’i vihen në dispozicion dokumente që lidhen me zbatimin e këtij memorandumi, ndërsa neve, në kundërshtim me ligjin nga KLGJ na vendoset një vendim i cili ishte marrë edhe para se ne të bënim 70 pyetje drejtuar këtij institucioni.

Pasi konstatojmë që jo vetëm nuk e kanë lexuar kërkesën tonë, por në pamundësi për të dhënë përgjigje, ata na e risjellin edhe një herë vendimin nr. 131.

Ne kemi kërkuar të dimë se cili është produkti i këtij memorandumi, çfarë ka arritur Gjykata e Lartë përmes kësaj marrëveshjeje që KLGJ-ja ka bërë me USAID-in, lidhur me numrin e dosjeve stok dhe mosavancimin e shtimit të numrit në të ardhmen.

Neve na vjen një relacion i datës 30 mars 2020 dhe skandali më i madh është që megjithëse Komisioni i Përkohshëm për implementimin e këtij memorandumi ishte i përbërë nga 3 veta, po ta shikoni, ky relacion është firmosur vetëm nga kryetari, Medi Bici.

Këtu jo vetëm kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë lidhur me këtë relacion të dhënë nga Komisioni i Përkohshëm për menaxhimin e dosjes në Gjykatën e Lartë, por nga ana tjetër na vihet në dispozicion një dokument i cili ka të bëjë jo me ekzekutimin e memorandumit, por me propozimet që ky komision i jep KLGJ-së për ta miratuar memorandumin.

KLGJ jo vetëm që refuzon të na japë përgjigje, por dukshëm nuk ka dokumente, nuk ka asnjë informacion se çfarë është bërë me numrin e dosjeve stok, apo se si janë rekrutuar punonjësit që do të merreshin me dosjet, a kanë ndërhyrë ata në këto dosje dhe cili është rezultati sot”, u shpreh Kalaja.

About Redaksia

Check Also

Bardhi: Balluku nuk mund të fshihet as pas frikës që ka kapur “Palloshin” që e ka marrë peng!

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar sërish ndaj zv.kryeministrja Belinda Balluku, …