Nga Alba KEPI
Kjo është historia e shumicës së koncesioneve dhe Partneriteteve Publike-Private (PPP) që në praktikën shqiptare është përkthyer Privati Fiton e Publiku Paguan!
Alarmi i fundit ka ardhur nga vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili me një raport të detajuar vë gishtin mbi plagën: qeveria shqiptare ka hequr nga projektligji i ri kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore që mund të përdoren për pagesat vjetore të PPP-ve. Një nen i vogël, por një mburojë e madhe, sepse shërbente si frenë ligjore ndaj babëzisë së pushtetit.
Heqja e tij i jep qeverisë dorë të lirë të rrisë financimin e kontratave koncesionare sipas tekave politike. Në një vend ku transparenca është e paekzistueshme dhe kontrolli parlamentar thuajse i paralizuar, kjo është një ftesë e hapur për abuzim.
Heqja e tavanit 5% nuk është rastësi. Është strategji. Është një shenjë se pushteti nuk kërkon më të frenojë veten, por të hapë rrugë për më shumë detyrime, më shumë borxh të fshehur, më shumë favore për kompanitë e afërta.
PPP-të në Shqipëri nuk kanë qenë kurrë thjesht “partneritet”. Janë kthyer në makineri shpërblimi për klientët politikë, me kontrata të errëta që lidhin buxhetin e shtetit për dekada, duke i faturuar brezave të ardhshme koston e korrupsionit të sotëm. Nga inceneratorët te rrugët e pa përfunduara, nga sterilizimi te shërbimet bazë, historia është e njëjtë: privatët përfitojnë miliarda, shteti mban borxhin dhe qytetarët paguajnë.
FMN, që nuk flet kurrë me tone politike, këtë herë ka qenë e prerë: kërkon përfshirjen e hershme dhe aktive të Ministrisë së Financave në çdo fazë, kërkon kategorizimin e qartë të rreziqeve fiskale, raportim periodik dhe transparencë. Në gjuhën e diplomacisë së FMN-së, këto janë sirenat e alarmit. Në gjuhën tonë të përditshme, kjo do të thotë: kujdes, qeveria po përgatitet të shpërdorojë edhe më shumë para publike.
Çfarë duhet të kuptojmë ne qytetarët? Se PPP-të nuk janë thjesht kontrata biznesi. Janë borxhe të fshehura që nesër do të dalin në faturën tonë. Janë ura të arta drejt klientelizmit dhe korrupsionit, të legalizuara me ligj. Dhe nëse sot FMN ngre alarmin, është sepse sheh që Shqipëria rrezikon të zhytet në një spirale ku buxheti i shtetit nuk do t’i shërbejë qytetarëve, por një grushti kompanish të lidhura me pushtetin.
PPP-të mund të ishin një mjet për zhvillim. Por në Shqipëri janë kthyer në një grabitje drejt grabitjes. Dhe çdo shqiptar duhet ta kuptojë: sa herë dëgjon për një projekt të ri koncesionar, të përgatitet jo për shërbime më të mira, por për një llogari më të rëndë që do t’i vijë nesër.
PPP nuk është më vizion ekonomik. Është babëzia e re e politikës, e veshur me ligj. Dhe përballë saj, heshtja është bashkëfajësi.
PPP-të mund të ishin mjet për zhvillim por në Shqipëri, janë kthyer në simbol të grabitjes së sofistikuar.
Dhe kur edhe FMN ngre zërin, duhet ta kuptojmë: ora e alarmit ka rënë. Pyetja është, a do të zgjohemi?
PS; Heqja e këtij kufiri për nivelin qendror në ligjin e ri i jep dorë të lirë qeverisë për të rritur financimin për koncesionarët dhe për të kthyer çdo projekt PPP në një garanci fitimi për privatët.