Nga Iva V.GRILLO
Kështu do t’a quaja filmin e fundit të mjeshtrit të madh Anagnosti, “Gjoleka, djali i Abazit”, një film që ndoshta nuk ka marrë gjithë vemendjen e duhur por besoj se është një nga filmat më të ndjerë dhe ndoshta edhe më personal të mjeshtrit të madh.
Një shtjellim kinematografik i bukur dhe i dhimbshëm, ku tregohet lidhja dhe përplasja deri diku tragjike mes brezash, nëpërmjet syve dhe dramës së Gjolekës… të gjendur mes tërheqjes nga vlerat e zakoneve të të parëve por edhe nga dëshira dhe ëndrrat për një të ardhme ndryshe… midis babait dhe autoritetit të tij ku ka rrënjët dhe nunit të vet, që i hap një botë tjetër.
Një rrëfim kinematografik prekës dhe mendoj ndoshta dhe me nota autobiografike, jo për nga rrjedha e ngjarjeve sesa nga përjetimet dhe empatia me të cilën i ka skalitur personazhet mjeshtri…
Si në gjithë filmat e Anagnostit, asgjë nuk është skematike dhe linerare: është e vështirë të vendosësh se cili është më tragjik: Gjoleka, djali I Abazit apo Abazi, babai i Gjolekës…
Atyre që nuk e kanë parë, ua këshilloj që t’a “dëgjojnë këngën e fundit të mjelmës” të mjeshtrit të madh!