Mediu: Qytetarët ishin 10 hapa para strukturave të PD në dëshirën për fitore me 11 maj

Organizimi elektoral opozitar pati “çalesat e veta” në procesin zgjedhor të 11 majit. Ky është mendimi i kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Gjatë një interviste në Klan News, ai u shpreh se gjatë fushatës angazhimi politik i Berishës ishte maksimal, por nuk ndodhi e njëjta gjë me strukturat e PD-së në qarqe. Sipas tij, ka pasur një mungesë funksionimi organizativ i grupeve të kandidatëve që ishin në listën e hapur me ata në listën e mbyllur.

“Dua ta theksoj në gjykimin tim dhe në bindjen time, qytetarët shqiptarë kanë qenë dhjetë hapa përpara strukturave së PD-së në dëshirën e tyre për të fituar. Ajo që kam parë gjatë fushatës është një angazhim politik, fizik maksimal i zotit Berisha, i cili nuk ishte i njëjtë me pjesët e tjera të strukturave të PD-së nëpër qarqe. Po ashtu mungesa e një funksionimi organizativ i grupeve që ishin në listën e mbyllur me grupet që kandidonin. Pra kishte njëlloj disfunksionimi, por prapë e them edhe njëherë, në kushtet e fushatës elektorale për një periudhë një muaj e gjysmë kjo padyshim që krijon problemet e veta”, tha Mediu.

Kreu i PR-së komentoi deklaratat e Ilir Alimehmetit, kandidatit të PD-së në zgjedhje, i cili po nga studio e Klan News një ditë më parë tha se opozita ra në sondazhe sapo u publikua lista e mbyllur e kandidatëve dhe se pesha e aleatëve nuk ishte aq e madhe sa pritej.

Sipas Mediut, Partia Republikane mori rreth 29 mijë vota, duke qenë një nga partitë me më shumë vota mes aleatëve të PD-së. Megjithatë, sipas tij, nuk ka rëndësi sa deputetë ka secila parti brenda opozitës.

Ai propozoi që Partia Demokratike të ndërtojë një strukturë ekzekutive elektorale me të gjithë kandidatët që morën një shumë të caktuar votash.

“Janë burim i gjallë i organizimit dhe funksionimit politik dhe elektoral të PD-së. Duhet të përfshihen si në nivel lokal dhe në nivel qendror në drejtimin politik të PD”, tha ai.

Më tej shtoi se mendon “që PD-ja duhet të thërrasë në anën ekzekutive elektorale këtë pjesë që ka konkurruar sepse është shumë e vlefshme për shkak të raportit që kanë pasur me votuesit në qendrat e votimit dhe duhet ringritur PD në çdo qendër votimi”.

Ai vlerësoi edhe rolin e Berishën në Partinë Demokratike, teksa theksoi se “është i vetmi autoritet politik që garanton një marrëdhënie të qenësishme të strukturave të PD”.

“Nuk shoh një autoritet tjetër që sot për sot mund ta mbajë së bashku PD qoftë edhe për debatet që zhvillohen”, tha Mediu.

Ndër të tjera kreu i PR-së tha se ndarja e listave në të mbyllura dhe të hapura, nuk ishte një ligj i drejtë.

About Krye Redaktor

Check Also

Bardhi: Balluku nuk mund të fshihet as pas frikës që ka kapur “Palloshin” që e ka marrë peng!

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar sërish ndaj zv.kryeministrja Belinda Balluku, …