Në fshatin Strikçan të Bulqizës, në vendin e quajtur “Fusha e Gurrës”, është zbuluar një gërmim arkeologjik unik, i cilësuar nga specialistët si varri i parë monumental i periudhës romake në Shqipëri, në formën e një mauzoleumi me elementë të veçantë arkitektonikë dhe epigrafikë.
Monumenti, me përmasa rreth 9 metra me 6 metra dhe një dhomë funerare 2.40 metra të lartë, ka dalë në dritë me një mbishkrim bilingual romak, i cili i kushtohet individit të varrosur, Gelliano-s, dhe perëndisë Jupiter.
Varri edhe pse i grabitur që në periudhën e lashtësisë por dhe më pas, përmbante një pjesë të inventarit, i cili përbëhej nga enë qelqi të tipologjive të ndryshme, krehër kocke, thika dhe ruhej një pjesë e madhe e tekstilit e thurur me fije ari, me të cilin individi ka qenë varrosur. Varri është ideuar në tre ambiente: dhoma e varrimit, paradhoma dhe shkallarja monumentale.
Muret e shkallares kanë qenë të dekoruara me motive gjeometrike në stuko të cilat ruhen ende. Përveç pjesës nëntokësore funerare, arkeologët kanë evdientuar struktura muresh në pjesën e sipërme të varrit, të cilat sugjerojnë që ky monument mund të ketë qenë i tipit mausoleum.
Zbulimet nuk ndalen këtu, por në afërsi të varrit monumental është zbuluar dhe një tjetër mbishkrim funerar, i cili pritet të analizohet më tej për shkak të gjendjes së dëmtuar të tij.
Inventari, teknika e ndërtimit si dhe të dhënat epigrafike e datojnë këtë monument unikal në shekujt III-IV e.s. Pritet që zbulimet e mëtejshme të nxjerrin të dhëna të reja të cilat do të pasurojnë hartën arkeologjike të territorit tonë.