Nga Alba KEPI
Qeveria e shet Operatorin Kombëtar të Ujit si një hap drejt modernizimit, por realiteti është krejt tjetër: kemi përballë një super–çetë të centralizuar që rrezikon të kthehet në minierën e re të oligarkëve. Nuk është një reformë për të sjellë ujë të pijshëm në rubinetat e shqiptarëve, është një monopol i ri ku tenderat, kontratat dhe privilegjet do të rrjedhin më fort se vetë uji.
Krijimi i Operatorit Kombëtar të Ujit nuk është thjesht një reformë e dështuar, është një projekt i rrezikshëm politik, një kombinat për pastrim parash, i maskuar si ndërmarrje publike. Në letër flitet për eficiencë, për furnizim 24 orë, për modernizim. Në realitet, kemi një makineri të re që do të riciklojë tendera të fryrë, kontrata klienteliste dhe privilegje për rrethin e ngushtë të pushtetit.
Nga 58 ndërmarrje që i quan “katastrofë”, Rama ka ngritur një mega–çetë unike, të centralizuar, ku nuk do të derdhet ujë për qytetarët, por para për oligarkët. Kjo nuk është ndërmarrje, është bunker. Një strukturë ku fshihen borxhet e vjetra, fryhen faturat e reja, dhe çdo metër kub uji kthehet në pretekst për miliona euro të shpërndara në duar të pakta. Është një kompani kombëtare në letër, por në praktikë është një bankomat politik për të financuar klientelën e pushtetit.
Europa ka zgjedhur rrugën tjetër. Bashkitë gjermane, franceze, italiane e holandeze mbrojnë menaxhimin e ujit si të drejtë themelore, duke e lënë në duart e komuniteteve, larg oligarkëve dhe korrupsionit. Në Shqipëri, pushteti zgjedh të bëjë të kundërtën: të shndërrojë një shërbim jetik në skemë pastrimi për oligarkët e vet. Një ndërrim i etiketës, nga “çeta” lokale tek “operator kombëtar”, por me të njëjtin funksion: të kontrollojë pasurinë publike për interesa private.
Qytetarët do të vazhdojnë të mbajnë bidonat në ballkon, ndërsa tenderat e ujësjellësit do të shkojnë drejt kompanive të një grushti biznesmenësh që ndërtojnë pallate dhe vila mbi paratë e ujit. Kjo nuk është reformë; është krim ekonomik me vulë shtetërore. Një kombinat politik ku nuk lahet asnjë pikë papastërtie, përkundrazi, aty riciklohen borxhet, fshihen dështimet dhe shpërndahen fitime për oligarkët.
Shqipëria nuk ka marrë një reformë të ujit. Ka marrë një skemë të re pastrimi, ku qytetarët mbeten me rubinet bosh dhe oligarkët me arkat plot. Dhe ky është portreti i vërtetë i “mega–çetës”: jo garantues i ujit, por garantues i pushtetit.