Afera Rama-McGonigal rikthehet në skenën politike dhe mediatike amerikane edhe më fuqishëm se më parë.
Kjo për shkak se Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka publikuar një raport hetimor të hollësishëm për këtë skandal. Në këtë raport, përveç çështjes shqiptare dhe asaj ruse, dominon çështja kineze. Edhe në këtë rast, Edi Rama është i implikuar thellë në shkeljet ligjore të agjentit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal.
Raporti i Departamentit të Drejtësisë është një nga kryelajmet e medieve amerikane. Ndërkohë gazetarët e njohur amerikanë po bëjnë thirrje që çështja të rihetohet në mënyrë të plotë.
Gazetari investigativ, Chuck Ross, shkruan se raporti është tronditës.
“Uau. Ky është një raport tronditës nga inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë në lidhje me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal. McGonigal ka informuar drejtues të firmës kineze CEFC, e lidhur me Hunter Biden, për një hetim që po zhvillohej ndaj kompanisë,” thekson ai.
Kurse shkrimtari dhe gazetari Hans Mahncke nënvizon se kjo çështje nuk është hetuar më parë nga administrata e Joe Biden, prandaj duhet hetuar përsëri.