Ulja e numrit të studentëve kërkon reformë të thellë të sistemit universitar

Nga Myqerem TAFAJ

Ulja drastike e numrit të studentëve në sistemin tonë të arsimit të lartë është tashmë një realitet, i cili mund të përkeqësohet akoma më shumë. Regjistrimet e këtij viti e tregojnë qartë këtë prirje. Regjistrimet kanë filluar para një jave dhe raportohet se janë regjistruar rreth 50 % e aplikantëve në shkallë vendi, ndërkohë që më parë ishin jo më pak se 60 %. Kjo ulje ka prekur shumë programe në të gjithë universitetet dhe shkollat e larta të vendit, madje edhe programe unike në shkallë vendi.

Shkaqet janë të shumta. Sigurisht kryesorët janë zhvillimi i pafavorshëm demografik i popullsisë (ulja e lindshmërisë) dhe emigrimi masiv i të rinjve jashtë vendit, të cilët do të reduktojnë akoma më shumë grupmoshën e të rinjve që vijojnë arsimin e mesëm dhe të lartë. Ndërkohë rritet cdo vit numri i maturantëve që zgjedhin universitetet e huaja, sidomos në Gjermani, Itali, SHBA, Britani e madhe, Francë, Turqi dhe vende të tjera. Ky grup maturantësh janë përgjithësisht më të mirët dhe bëjnë këtë zgjedhje sepse nuk janë të bindur me ofertën e shkollimit të lartë në vend dhe përgatiten për të emigruar përgjithmonë nga vendi. Një pjesë e këtyre shkaqeve të uljes drastike të numrit të studentëve lidhen edhe me punën e universiteteve për të afruar programe të lidhura me tregun e punës, cilësinë dhe, sidomos, punën që bëhet me studentët, rolin e tyre real në jetën dhe veprimtarinë e universitetit. Nëse studenti nuk trajtohet në mënyrë që ai/ajo ta konsideroj veten si një kontribues aktiv në jetën e universitetit, të identifikohet me të, gjatë dhe pas studimeve universitare, atëhere universiteti ka humbur pjesën më vitale të jetës dhe veprimtarisë së tij – studentin. Sot universitetet tona tregojnë fare pak interes për jetën e studentëve të tyre përtej mureve të auditorëve, ndërkohë që universiteti i sotëm në botë është shumë i angazhuar në mbështetjen e jetës së studentëve të tyre përtej auditorit, cka bën që ata t‘a konsiderojnë veten pjesë e familjes së atij universiteti, të identifikohen me të dhe të ndihen krenarë që janë duke studiuar ose kanë përfunduar studimet në atë universitet (kujtojmë rolin e rëndësishëm që Alumni apo organizimet „Miqtë e universitetit“ në promovimin e universiteteve ku kanë studiuar). Ky model është shumë pak i zhvilluar në vendin tonë dhe kjo lidhet edhe rolin që u është besuar studentëve gjatë kohës së studimeve në veprimtarinë e universitetit. Institucionet tona të arsimit të lartë jo publik janë disi më të interesuar për veprimtarinë e studentëve të tyre përtej mureve të auditorëve. Studentët e ngritën këtë problematikë në protestën e tyre të vitit 2018, asnjë përmirësim nuk ndodhi.

Faktori kryesor që frenon studentët për të zgjedhur këto programe, pra profesione, është tregu i punës dhe statusi i këtyre profesioneve. Deformimi i tregut të punës në sektorin publik është i skajshëm sepse, arrin deri aty, sa fusha e formimit universitar shpesh nuk luan asnjë rol në rekrutimin për pozicionet e punës. Pa folur pastaj për abuzimet e tjera në rekrutim, si diskriminimi për shkak të orientimit politk të vet kandidatit apo familjes së tij, nepotizmi, korrupsioni, etj. Ana tjetër është statusi i këtyre profesioneve, të cilët, përgjithësisht janë thellësisht të diskriminuar. Pagat e këtyre profesioneve janë ende shumë të ulta dhe aspak tërheqëse për të rinjtë dhe kushtet e punës më pak se modeste. Por, të gjithë studimet e tregut të punës në vendin tonë tregojnë qartë se gjendja e një profesioni në tregun e punës në sektorin publik përbën, në një masë shumë të madhe, një faktor përcaktues për fatin e këtyre profesioneve edhe në tregun privat të punës. Përgjithësisht, sipërmarjet private orientohen në rekrutim dhe në nivelin e pagave për këta profesione që afrojnë nga statusi që aplikojnë agjencitë qeveritare dhe bashkitë.

Çështja që shtrohet tani është se si do të sillet qeveria ndaj situatës së zbrazjes së universiteteve, e cila po bëhet, cdo vit, edhe më e mprehtë. Do të ndërmarrë qeveria ndonjë strategji reale kundër përkeqësimit të kësaj situate, apo do t’ia lë fatit? Më keq akoma, nëse qeveria do t‘a përdorë uljen e numrit të studentëve për të ulur financimin, cka do të conte gradualisht në mbylljen e fushave të rëndësishme të dijes në universitetet tona. Dikush mund të thotë, punë e madhe se u shuajtën ato fusha, edhe pse disa prej tyre ekzistojnë si të vetme prej dekadash në disa universitete të vendit. Unë mendoj se këto fusha janë të vyera për vendin, jo vetëm se ato janë pjesë e historisë së zhvillimit të dijes dhe kulturës sonë kombëtare, por sepse vendi ka dhe do të ketë nevojë për to. Gjenerimi i dijes është në thelb të lindjes dhe misionit të Universitetit, historia e të cilit zë fill para gati dhjetë shekujsh.

Nëse nuk do të ndërgjegjësohet qeveria dhe legjislativi shqiptar, dhe nëse komuniteti akademik dhe profesionistët e këtyre fushave nuk do të ngrenë zërin e tyre për këtë situatë, shuarja e këtyre fushave të dijes mund të ndodhë dora-dorës. Imagjinoni që Shqipëria të mos shkollojë më mësues dhe dija në shkencat e edukimit në vendin tonë të shkojë drejt shuarjes, sepse mësuesia si profesion është e diskriminuar. E njëjta gjë mund thuhet për jo pak fusha të tjera të dijes në vendin tonë. Dikush mund të thotë; punë e madhe po shuhen disa fusha të dijes në universitetin shqiptar që janë hapur si të tilla në vitet ’50 të shekullit të kaluar dhe janë pjesë e dijes dhe kulturës shqiptare, edhe pse ato nuk mund të krahasohen me shkenca albanologjike që janë shkenca të mirëfillta të identitetit kombëtar. Prapëseprapë, kjo do të ishte një involucion për dijen në universitet, por edhe për kulturën tonë kombëtare. E vërtetë është se dija në botë po përparon me shpejtësi edhe në fushat e kërcënuara të universitetit shqiptar. Por kjo nuk do të thotë se këto fusha të dijes mund të shuhen. Përkundrazi, ky zhvillim shumë i shpejtë i dijes në botë kërkon që këto fusha të dijes në Shqipëri të ndjekin zhvillimet internacionale dhe t’i sjellin ato në fondin e dijes dhe kulturës shqiptare. Shqipëria nuk prodhon cmime Nobel në asnjë fushë të shkencës, por vendit i duhen bërthamat universitare, që sjellin zhvillimet më të reja të dijes në këto shkenca si për formimin e studentëve dhe profesionistëve, ashtu edhe për nevojat e zhvillimit të gjithanshëm të vendit tonë. Në këtë kontekst, po i referohem një rasti domethënës. Universiteti Ludwig- Maximilians në Mynih (LMU), në vitin 2011, në kuadër të reformës së brendshme që kishte ndërmarrë, shtroi për diskutim ruajtjen e fushës së Albanologjisë, për të cilën Shqipëria ka interes të vecantë, sepse Albanologjia në këtë universitet jo vetëm që ka një histori të gjatë, por ka reputacionin më të mirë shkencor dhe ka ndihmuar albanologët në universitete të tjera në Gjermani, të vendeve të tjera, madje edhe të Shqipërisë. Për të vijuar studimet universitare të ciklit Master dhe të doktoratës në Albanologji, parakusht ishte që profesura e Albanologjisë të kishte përsonelin e mjaftueshëm akademik. Shqipëria mori përsipër financimin e një pozicioni të Profesorit të Asociuar në mënyrë që të plotësohej organika e profesurës së fushës së Albanologjisë, cka mundësoi ruajtjen e kësaj fushe kaq të rëndësishme dhe të vijonin studimet e nivelit Master dhe Doktoratë, si parakushte për të mos mbyllur këtë fushë në LMU.

Për të shmangur këtë kërcënim real të shuarjes dora-dorës së këtyre fushave të dijes në vendin tonë lypsen politika reale mbështetëse nga qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë. Duhen politika reale nxitëse për të tërhequr një numër kritik të mjaftueshëm studentësh që studiojnë në këto fusha për të plotësuar nevojat e tregut të punës të vendit tonë me profesionistë të këtyre fushave. Përvoja ka treguar se vetëm akordimi i bursave nuk është zgjidhje, nëse nuk do të ndërmerren masa konkrete ndaj deformimeve në tregun e punës në sektorin publik, si dhe përmirësime thelbësore të statusit të këtyre profesioneve. Gjithashtu, është i domosdoshëm edhe një minimum kritik i stafit akademik shkencor në universitete ku gjenerohet dhe organizohet dija. Nëse universiteti shqiptar nuk shkollon studentë në këto fusha, vendi nuk do të ketë nesër profesionistë të këtyre fushave, përjashtuar ndonjë student që shkollohet jashtë vendit. Por, fatkeqësisht, ky burim është gati inekzistent, sepse të rinj shqiptarë që ndjekin studimet universitare në këto fusha të kërcënuara në universitetet e huaja mund të numërohen me gishtat e vetëm njërës dorë. P.sh. në vendin tonë vështirë se gjenden të rinj që kanë studiuar ose po studiojnë për mësuesi jashtë vendit.

Kjo situatë është aktuale për shumë fusha të dijes dhe kërkon një ndërgjegjësim të ekzekutivit, legjislativit dhe komunitetit akademik të vendit. Dhe më konkretisht kjo kërkon një reformë reale të sistemit të arsimit të lartë në vendin tonë. Jemi në kushte tërësisht të ndryshme nga 12 vite më parë. Ndërsa në atë kohë qeveria e kishte problem të madh se Shqipëria kishte shumë studentë, sot vendi përballet me zbrasje të universitetit. I gjithë diskutimi i kohëve të fundit për tërheqjen e studentëve të huaj në universitetin tonë duhet parë me realizëm. Përvoja e vendeve të tjera europiane tregon se politikat për tërheqjen e studentëve të huaj kërkojnë të paktën një dekadë për të dhënë rezultatet e para.

Me këtë prirje të rënies së numrit studentëve, po të zbatohet formula aktuale e shpërndarjes së buxhetit të universiteteve publike, e cila mbështetet kryesisht në numrin e studentëve, kjo do të nënkuptonte mbyllje departamentesh dhe fakultetesh, madje edhe universitetesh, shkurtime të stafit akademik për shkak të shkurtimeve të buxhetit. Kështu shuhen dora-dorës fusha të dijes në universitetin shqiptar të hapura para gati 70-80 viteve.

Unë iu referova hallkës kyce për funksionimin e universiteteve publike- modeli i financimit. Por janë plot hallka të tjera të funksionimit të arsimit të lartë publik që ndikohen drejtpërdrejt nga numri i studentëve. Kjo tregon se sa e rëndësishme është që të ndërmerret një reformë realiste e sistemit tonë të arsimit të lartë, në mënyrë që ai t’i përgjigjet demografisë dhe nevojave të zhvillimit tërësor të vendit, të paktën për dy dekadat që vijnë, si dhe të jetë i aftë të garojë në Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë. Për një reformë të tillë lypset, më së pari, një analizë të thellë dhe e pavaruar e gjendjes së sistemit në të gjitha këndvështrimet e funksionimit të tij, organizimi i sistemit, modeli i financimit, modeli i organizimit dhe vetqeverisjes së brendshme të universitetit, ndërkombëtarizimi, dhe shumë hallka të tjera në funksion të cilësisë së formimit të studentëve, produktit shkencor dhe transferimit të tij në dije që i shërben zhvillimit aktual dhe perspektiv të vendit tonë.

Gjatë këtyre dy muajve ka filluar diskutimi për ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë. Ndërmarrja e ndryshimeve në ligj pa një analizë të plotë dhe të pavaruar të sistemit nuk do të sillte asgjë më shumë se sa disa arna, të cilët nuk do t’i shërbejnë qëllimit madhor për të cilin shoqëria dhe taksapaguesit e paguajnë universitetin – gjenerimi i dijes, formimi i studentëve në nivelin e krahasueshëm me atë internacional dhe kërkime shkencore që i shërbëjnë zhvillimi tërësor të vendit.

Shqipëria është vend i vogël dhe i ka të gjitha mundësitë të zhvillojë një sistem modern të arsimit të lartë, ashtu sic kanë bërë edhe shtete të tjera të vogla, p.sh. Estonia apo Sllovenia. Edhe vendi ynë e ka potencialin e mjaftueshëm finaciar për të zhvilluar arsimin e lartë si këto dy vende të vogla që citova. Ajo që duhet është vullneti politik dhe vizioni. Nëse sistemi i arsimit të lartë do t‘i lihet zhvillimit spontan të varur vetëm nga numri i studentëve, dhe qasjes thuajse në rënie të lirë „të mbijetojë kush të mbijetojë“, rënia do përshpejtohet dhe shumë fusha të dijes, që sot po kërcënohen nga ulja e numrit të studentëve, do të shuhen vetvetiu. Kjo mund të shmanget përmes një reforme të sistemit dhe politikave të qarta dhe afatgjatë për zhvillimin e arsimit të lartë.

About Redaksia

Check Also

T’i besosh Edi Ramës në intrigat e veta, është njësoj si t’i besosh djallit që hiqet si engjëll!

Nga Enver BYTYÇI Kur Blendi Fevziu e pyeti kryeministrin shqiptar, të enjten në mbrëmje, nëse e …