Gazetarja e emisionit investigativ Stop në TV Klan, Domenika Bajraktari, dhe kameramani i saj janë dhunuar ditën e premtme në ambientet e Kadastrës Vorë-Kamëz, ndërsa ishin në krye të detyrës.
Ngjarja ndodhi gjatë një investigimi mbi problematikat në këtë institucion. Në vend të bashkëpunimit dhe transparencës institucionale, ekipi i Stop është përballur me dhunë fizike.
Pas incidentit, drejtues të Kadastrës kanë deklaruar se agresori nuk ishte punonjës i institucionit, por mbetet e paqartë prania e tij në zyrat e shtetit.
Për këtë ngjarje të rëndë reagoi kryetari i PD, Sali Berisha duke e dënuar këtë akt të rëndë ndaj gazetarëve. Berisha shkruan se, klima e presionit dhe gjuhës së urrejtjes ndaj medias po krijon një ambient gjithnjë e më të rrezikshëm për punonjësit e saj. Ai deklaron se pas këtij akti të shëmtuar, fshihet një bandit i drejtoreshës së Kadastrës Lorena Goxhobelli , i thirrur për t’i dhënë një mësim në zyrat e narkoshtetit gazetares.
Regimi i kreut të PD, Berisha
Në zyrat e Kadastrës dhunohet gazetarja dhe kameramani i saj.
Të dashur miq, në zyrat e Kadastrës Vorë-Kamëz dhunohet për shkak të detyrës gazetarja Domenika Bajraktari dhe kameramani i saj i ekipit Stop të TV Klan për shkak të detyrës. Ky akt banditesk ndodhi sepse gazetarja shkoi për një hetim të serialit të pafund të kreut të Kadastrës Vorë-Kamëz, Çerri. Në vend të transparencës dhe paraqitjes së dokumenteve sipas ligjit, organet e narkoshtetit u ofrojnë gjobën, ryshfetin qytetarëve dhe dhunën e dajakun gazetarëve. Pas këtij akti të shëmtuar, Famozja Lorena deklaron se po shikon kamerat dhe se banditi nuk ishte punonjës i Kadastrës. Kjo do të thotë se agresori ishte bandit i Çerrit dhe i Lorenës, i thirrur për t’i dhënë një mësim në zyrat e narkoshtetit gazetares.
Duke dënuar me forcën më të madhe aktin banditesk, kriminal kundër gazetares dhe kameramanit në detyrë, shtoj se Ramaduro, me qëndrimet e tij armiqësore ndaj mediave dhe gazetarëve që e kritikojnë, dhunën e tij verbale dhe jo vetëm ndaj tyre, është frymëzues i kësaj klime të rrezikshme për jetën dhe veprimtarinë e gazetarëve dhe punonjësve të mediave.

Në foto: Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli