15 shtatori- Dita Ndërkombëtare e Demokracisë!

Nga Bujar Leskaj

15 shtatori është një ditë dhe datë ceremoniale, vendosur nga Kombet e Bashkuara, si Dita Ndërkombëtare e Demokracisë.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, kemi detyrën dhe detyrimin të kujtojmë me respekt ditën tonë të Demokracisë, 8 Dhjetorin, kemi për detyrë të kujtojmë me respekt e përulje Studentët e Dhjetorit ’90, e Shkurtit ’91, të cilët me vetmohim, guxim, ëndrra e idealizëm luftuan për Demokracinë; duhet të përulemi me respekt përpara Dëshmorëve të saj, Arben Broci, Azem Hajdari, etj; duhet të përulemi me respekt përpara qëndrestarëve antikomunistë shqiptarë qe rezistuan ne burgjet e dikatatures per 50 vjet; përpara themeluesve të Partisë Demokratike, zoterinjve Azem Hajdari,Aleksandër Meksi, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Pjetër Arbnori, Arben Imami, Genc Ruli,Rexhep Uka,Ylli Vejsiu,Bamir Topi, Dashamir Shehi, Omer Stringa ,Afrim Jupi,Artan Hoxha,Ibrahim Vasjari,Alfred Zijai etj

Partia Demokratike bëri ndryshimin në Shqipëri, solli pluralizmin e Lirinë me mbështetjen e pakursyer në gjithë këto vite të partnerit tonë strategjik, kampionit të Demokracisë në botë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por sot kjo ditë duket sikur e ka humbur simbolikën dhe kuptimin e saj në Shqipëri.

Shqipëria sot ka një kufizim total të demokracisë, sepse dominon modeli autoritarist. Sot, në Shqipëri jo vetëm mohohet jeta e Demokracisë, fjala dhe ligjërimi demokratik, por ngrihet në kult sundimi më antidemokratik duke na e imponuar këtë sundim si model inspirues.

Sot, pas tri dekadash “demokraci” Shqipëria është peng i korrupsionit, mentalitetit përçmues e kriminal, autoritarizmit të sektit Rama, që i ka mbërthyer shqiptarët për gryke, që është i paaftë të ofrojë ndryshime pozitiviste e që ka zhbërë e zhbën çdo vlerë demokratike.

Ky sekt, Partia- shtet, ata që duan më shumë “partinë se Shqipërinë” kanë kapur gjithçka, shtetin, pushtetin, ekonominë, politikën, drejtesine…

Ndaj Shqipëria e sotme, vazhdon të jetë vend i ikjes masive të popullit e i elitave intelektuale, i ikjes së të rinjve, i ikjes së atyre që kanë potencial ndryshimi të vërtetë, dhe njëherësh është vendi ku pushteti kthehet kundër e përballë qytetarëve dhe vlerat janë krejt të përmbysura.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, duhet të reflektojmë përpara së gjithash tek vetja dhe të kuptojmë që Demokracia nuk është përjashtuese, por përbashkuese mbi bazën e vlerave të vërteta.

15 shtatori është ditë dhe moment reflektimi të thellë edhe për Partinë Demokratike, si shpresë e alternativë reale për shqiptarët.

Partia Demokratike, e cila sot përfaqëson gjysëm milioni qytetarë shqiptarë që kundërshtojnë keqqeverisjen e regjimit “Rama”, përballet me një sfidë historike në përballjen me një pushtet gjithnjë e më autoritar. Ky regjim, i udhëhequr nga një autokrat që çdo ditë e më shumë minon themelet e demokracisë, synon instalimin e një strukture të mirëfilltë autoritare në Shqipëri.

Për ta përmbushur këtë mision madhor, Partia Demokratike duhet të dëshmojë se është një alternativë e besueshme duke u mbështetur fuqimisht në dy parime themelore të funksionimit demokratik: llogaridhënien dhe transparencën. Këto parime duhet të fillojnë së pari brenda vetë strukturave të saj drejtuese, si një shembull i qartë për qytetarët shqiptarë se çfarë do të thotë të jesh një parti vërtet demokratike.

Gjithashtu, Partia Demokratike duhet t’i japë prioritet alternativave dhe konkurrencës së ndershme brenda strukturave të saj. Në çdo nivel të drejtimit, duhet të ketë kandidatura të hapura dhe alternative si një garanci për rritjen, rinovimin dhe funksionimin demokratik të brendshëm.

Sepse, në fund të fundit, ndryshimi është jetë, ndryshimi është progres.

Prandaj, që kjo ditë e Demokracisë të ketë vërtet kuptim e vlerë duhet që kësaj dite t’i japim kuptim duke përmbysur autoritarizmin dhe demokracinë kallpe!

Duke sjellë ndryshimin e vërtetë!

About Redaksia

Check Also

Genocid demografik…

Nga Iva V.GRILLO Në vitin e 13 të pushtetit “rilindas”, Presidenti ka dalë të lypë …