Avokati mbrojtës i Jamarbër Malltezit ka kërkuar në seancën e sotme gjyqësore për dosjen “Partizani” pavlefshmëri absolute të të gjitha akteve procedurale të kryera gjatë fazës hetimore, duke e konsideruar tërësisht të pabazuar ligjërisht akuzën ndaj klientit të tij.
Avokati Klodian Skënderi ka kërkuar shpalljen të pavlefshme të akteve të hetimit duke i konsideruar si të pabazuara në ligj.
“Nuk ka akuzë të bazuar në prova dhe në ligj. Kërkojmë konstatim të pavlefshmërisë absolute të akteve të hetimit paraprak të gjyqtares Irena Gjoka”, ka thënë në seancë avokati Klodian Skënderi.
Ndërkohë, Jamarbër Malltezi gjatë seancës pati debate me gjyqtaren Elsa Ulliri, pasi akuzoi se kallëzimi i Taulant Ballës për dosjen “Partizani” ishte i rremë.
Malltezi: Kërkoj mediat në sallë të filmojnë të gjithë procesin. Në Shqipëri vettingu u krye nga motra e Ballukut, ndërsa kreu i ILD është vëllai i ministres së Ramës. Është proces penal i stisur nga Taulant Balla. Kjo nuk është shpifja e parë e Taulant Ballës. Kallëzimi i z. Balla ishte dukshëm i rremë. Aty janë 30 falsifikime. Unë kërkoj që e gjithë aktakuza të hidhet poshtë dhe të dërgohen për ndjekje penale personat përgjegjës.
Edhe të pandehurit e tjerë, Xhimi Begeja e Andia Pustina kërkuan pavlefshmëri të kateve, ndërsa biznesmeni Fatmir Bektashi do t’i paraqesë kërkesat e tij në seancën e radhës, e cila do të mbahet më datë 29 shtator ora 11:00.
Pas daljes nga gjyqi për çështjen “Partizani”, Jamarbër Malltezi ka deklaruar se është “viktimë e një lufte gjyqësore të koordinuar ndaj tij”.
Ai deklaroi se është i vetmi person në Shqipëri, ndaj të cilit “në të njëjtën ditë janë marrë masa për arrest, janë kryer kontrolle dhe është bërë sekuestrimi i të gjitha kompanive private që zotëronte, si dhe të pronave që kishte në bashkëpronësi, pa asnjë justifikim të qartë nga autoritetet”.
“Askush nuk ka shpjeguar lidhjen mes pronave të mia dhe objektit të hetimit të Prokurorisë. Madje janë sekuestruar edhe objekte të para 22 viteve, kur ishim në Kosovë dhe në bashkëpronësi,” deklaroi Malltezi. Ai theksoi se veprimet e ndërmarra ndaj tij tregojnë qartë se është kthyer në objekt sulmesh nga Partia Socialiste.