Vetëm 5 minuta ka zgjatur seanca e dytë parlamentare e kësaj të marte në Kuvend, ku të pranishëm në sallë ishin vetëm deputetët e Partisë Socialiste.
Pasi miratoi me procedurë të përshpejtuar ndryshimet në rregulloren e Kuvendit (paradite) maxhoranca u mblodh sot pasdite për të votuar kryetarët dhe nënkryetarët. Opozita bojkotoi procesin e votimit pasi e cilëson miratimin e ndryshimeve te rregullores, të njanshme, ne shkelje të kushtetutës.
Me 77 vota pro të mazhorancës dhe një kundër, u miratuan vetëm krerët e komisioneve të përhershme parlamentare që do të drejtohen nga Partia Socialiste.
Kjo për shkak se Partia Demokratike nuk i ka dorëzuar emrat e deputetëve të saj që do të jenë kryetarë dhe nënkryetarë komisionesh të përhershme parlamentare.
E pranishme në sallën e seancave plenare, nga Partia Demokratike ishte vetëm deputetja Jozefina Topalli, e cila votoi kundër.