Vetëm Realizmi Socialist mund ta shesë varfërinë për lumturi!

Nga Elona CASLLI

Nuk duhet ngatërruar nostalgjia për fëmijërinë, me Lumturinë Artificiale të Realizmit Socialist.

Kushdo mund të ndiejë nostalgji për fëmijërinë, pasi është etapa më e brishtë dhe më e pastër në jetë. Kushdo do të kthehet fëmijë për një çast, por nostalgjia për fëmijërinë nuk mbart domosdoshmërisht Lumturinë Artificiale të Realizmit Socialist.

Në rrjet qarkullon një shkrim i cili përshkruan jetën e një brezi gjatë Realizmit Socialist. Në fund shkrimi përmbyllet me fjalinë; Një brez i varfër që nuk kishte asgjë, por kishte gjithçka.”

Vetëm Realizmi Socialist mund ta shesë varfërinë për lumturi.

Në shkrimin që qarkullon në rrjet shkruhet:

“”Një brez në të cilin djemtë luanin futboll me porta te sajuara me gure, ndersa vajzat me kercim litari apo rruvizash.”

Ndërkohë në po të njëjtin tekst, anashkalohet fakti se po të njëjtët djem dhe po të njëjtat vajza edukoheshin të laheshin një herë në javë poshtë dushit me vajguri dhe këmbenin letrat e çokollatave si pasuri të patundshme. Një letër çokollate, që një evropian e hidhte në kosh të plehrave, një shqiptar e ruante brenda një libri dhe dehej nga ngjyrat e letrës se nuk kish parë kurrë në jetë diçka të tillë.

Në shkrimin që qarkullon në rrjet thuhet;

“Një brez që bënte deri edhe zinxhirë letre me duart e veta per te zbukuruar festat.”

Ndërkohë në po të njëjtin tekst anashkalohet fakti se zbukurimi me zinxhire letre apo me pambukë mbi dritare, është shenjë e mirëfilltë fukarallëku dhe jo mirëqënieje. Ndërkohë që Evropa zbukurohej me drita plot ngjyra, fëmijët shqiptarë ngjisnin pambuk mbi xham dhe sajonin vargonj prej letre.

Në shkrimin që qarkullon në rrjet thuhet;

“Një brez që kishte mësuar të përballojë në çdo kohë dhe në çdo rrethane gjithçka me forcën e vet.

Ndërkohë në po të njëjtin tekst anashkalohet fakti se një grua ishte e detyruar të lante rroba me dorë, të ndërronte fitilat e fërnellës me vajguri, të mbante radhën për qumësht, të gatuante në banjo se hapësira e apartamentit nuk mjaftonte për një kuzhinë, të shkonte në pune, të kujdesej për fëmijët dhe ta përjetonte ciklin e saj mujor mes një vështirësie të skajshme nga mungesa e produkteve që ekzistonin në Evropë.

Në shkrimin që qarkullon në rrjet thuhet;

“Një brez që takohej çdo ditë në një vend të caktuar pa celularë”.

Ndërkohë në po të njëjtin tekst, anashkalohet fakti se teknologjia ka lehtësuar komunikimin mes njerëzve, ka ndihmuar dhe ndihmon në shërbimet për qytetarët dhe ndihmon biznesin në shumë aspekte.Teknologjia e lehtëson jetën e njeriut në çastin që administrohet siç duhet.

Në shkrimin që qarkullon në rrjet thuhet;

“Ne jemi brezi që e pa babin të rregullonte televizorin madje edhe brezi qe e ndihmonte të rregullonte antenën”.

Ndërkohë në po të njëjtin tekst, anashkalohet fakti se antena rregullohej për të parë fshehurazi ndonjë film apo për të dëgjuar ndonjë këngë në gjuhë të huaj ose për të shpëlarë trurin me propagandën e lumturisë së Realizmit Socialist. Ndonjëherë i futej ndonjë grusht televizorit që t’i vinte figura, por kjo nuk quhet lumturi.

Në shkrimin që qarkullon në rrjet shkruhet;

” Një brez që shkonte tek miku e shoku edhe pa paralajmërim edhe pse beheshin deri në 10 në një grup.”

Ndërkohë në po të njëjtin tekst anashkalohetfakti se nuk është normale të shkosh në shtëpinë e tjetrit pa e lajmëruar dhe me 10 veta, sikundër nuk është normale që shtëpinë e tjetrit ta konsiderosh shtëpinë tënde se nuk është kooperativë bujqësore, por mjedis privat tek i cili duhet të trokasësh para se të hysh.

Në shkrimin që qarkullon në rrjet shkruhet;

” Një brez që lexonte libra, pranë një llambë nën një batanije”

Ndërkohë në po të njëjtin tekst, anashkalohet fakti se librat lexoheshin me llambë në batanije se duhet të lexoheshin shpejt se duhet të qarkullonin, se ishin libra të ndaluar dhe nuk gjendeshin në librari dhe njerëzit i qarkullonin dorë më dorë. Të mos kesh të drejtën për të lexuar atë që do të lexosh. A mund të quhet lumturi?!

Në shkrimin që qarkullon në rrjet shkruhet;

” Një brez që pinin nga e njëjta shishe dhe jepnin një kafshatë nga ushqimet e tyre të shkollës”.

Ndërkohë në po të njëjtin tekst, anashkalohet fakti se kaq të ngopur ishin fëmijët shqiptarë sa nuk kishin të ngopur me Nutella pas viteve 90. Një kavanoz Nutella ekzekutohej brenda ditës pas viteve 90 nga uria e skajshme.

Në shkrimin që qarkullon në rrjet renditen shumë “” lumturira” të Realizmit Socialist.

Përgjigjen për pseudolumturinë, e gjeni te pamjet e shqiptarëve kur zbritën për herë të parë në Itali. Ato pamje tregojnë sa larg qytetërimit ishim dhe sa tragjik kish qenë ai izolim prej gjysmë shekulli.

Post Scriptum- Mallin për rininë tuaj keni të drejtë ta ndieni, por malli për rininë tuaj nuk mund të jetë Lumturia Artificiale e Realizmit Socialist.

About Redaksia

Check Also

“Rama në samitin e kokainës”!

Nga Basir ÇOLLAKU Edi Rama në Samitin e Kokainës në vitin 2019?! Zaret janë hedhur Luftë …