Nga Bujar Leskaj
Sipas raportimit të BIRN-it, gazetarët kanë denoncuar planet e Partisë Socialiste për kufizimin e aksesit të mediave në sallën e seancave plenare dhe në ambientet e Parlamentit.
Planet e fundit të dirigjuara nga sekti Rama për të ndaluar hyrjen e kamerave në sallën e seancave plenare dhe për të kufizuar aksesin e gazetarëve në ambientet e jashtme të Parlamentit përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe së drejtës së publikut për t’u informuar. Këto masa synojnë të shkëpusin kontaktin e drejtpërdrejtë të gazetarëve me institucionin e Kuvendit, duke vështirësuar ndjeshëm ushtrimin e funksionit themelor të medias: kërkimin e llogaridhënies dhe mbikëqyrjen e pushtetit.
Media në Kuvend nuk është thjesht një vëzhguese pasive, por një aktor kyç në funksionimin e demokracisë. Ajo shërben si ura lidhëse mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre, duke siguruar që zëri i publikut të dëgjohet dhe duke mbajtur pushtetin përgjegjës dhe transparent. Roli i saj është dyfishtë, si mbikëqyrëse dhe kontrolluese e pushtetit; dhe si transmetuese e informacionit.
Çdo përpjekje për të ndaluar ose kufizuar këtë prani përbën një regres të rrezikshëm dhe dëmton themelet e demokracisë.
Mbështetja ndaj gazetarëve në Kuvend është e domosdoshme, si garant për transparencë, llogaridhënie.
Në Shqipëri, situata e medias është përkeqësuar seriozisht: media kërcënohet, censurohet dhe nënshtruar; gazetarët përballen me shantazhe; lajmet shpesh manipulohen, duke krijuar një realitet të deformuar për qytetarët. Kjo situatë është rezultat i një qasjeje të qëllimshme, e cila vjen nga qendra e pushtetit, kryesuar nga Rama dhe sekti i tij politik.
Çdo përpjekje për t’i larguar mediat nga Kuvendi është një hap pas në demokraci. Akses i plotë i medias është jetik për një Parlament transparent, të përgjegjshëm dhe të hapur ndaj qytetarëve.

Gazeta RD