CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

DIELLZA dhe disa aspekte që e gjunjëzojnë një shoqëri dinjitoze!

Nga Besa MANAJ

Nëse deri dje Edi Rama na shiste qeverisjen si një teatër absurd me ministra të shndërruar në aktorë periferikë të një skene groteske, sot ai na servir aktin më të ri: një ministre artificiale, të pagëzuar me emrin DIELLZA.

Një avatar dixhital, i bukur në ekran por bosh në përmbajtje; pa shpirt, pa përgjegjësi dhe mbi të gjitha, pa asnjë lidhje me realitetin e shqiptarëve.

Rama dhe kabineti i tij e shesin këtë si një “hap drejt së ardhmes”, por në fakt është një hap i madh drejt mashtrimit kolektiv dhe një iluzion digjital që synon të mbulojë dështimet e një mandati të konsumuar deri në palcë.

Kur algoritmi ushqehet me propagandë, edhe inteligjenca gënjen

Inteligjenca artificiale është aq e besueshme sa të dhënat me të cilat ushqehet. Dhe nëse DIELLZA i serviren vetëm narrativat e Rilindjes, rezultati është i parashikueshëm: gënjeshtra të sofistikuara, të servira me buzëqeshje virtuale.

Në këto rrethana, një shoqëri e tërë rrezikon të ushqehet me “informacion të personalizuar”, i cili kurrë nuk pasqyron të vërtetën, por vetëm atë që i leverdis pushtetit.

Manipulimi si art qeverisës!

Në botën e zhvilluar, inteligjenca artificiale përdoret për inovacion. Në Shqipërinë e Ramës, për iluzion.

Në vend të progresit, marrim një deepfake politik: Një ministre që flet pa thënë gjë, që premton pa dhënë, që informon pa ditur. Një avatar i programuar për të përsëritur mantrën e kryeministrit: “Gjithçka është në rregull. Gjithçka shkon për mrekulli.”

Askush nuk guxon të pyesë: Po sikur sistemi të gënjejë? Përgjigjja është po aq artificiale: “Nuk ka faj Rama, fajin e ka algoritmi.”

Një tjetër rrezik i kësaj tallje të paskrupullt është vrasja e mendimit kritik.

Kur një shoqëri fillon të mbështetet verbërisht tek inteligjenca artificiale, mendimi kritik shuhet.

Dhe pikërisht ky është qëllimi: një shoqëri që pyet më pak, dyshon më pak, proteston më pak. Një popull që thotë “po” ndaj gjithçkaje që i serviret nga një ministre virtuale.

E thënë ndryshe: DIELLZA nuk është një lodër teknologjike, por një armë e sofistikuar për të mpirë qytetarin.

Në kundërshtim me rregulloren e BE-së

Ajo që e bën edhe më alarmante këtë eksperiment është fakti se praktika të tilla bien ndesh drejtpërdrejt me Rregulloren e BE-së për Inteligjencën Artificiale (AI Act, 2024/1689).

Ky ligj, i pari në botë në llojin e vet, ndalon përdorimin e AI për qëllime manipulimi dhe mashtrimi të opinionit publik. Artikulli 5 i AI Act e përcakton qartë: është e ndaluar çdo përdorim i AI-së që shfrytëzon dobësitë emocionale, sociale apo ekonomike të individëve, ose që deformon perceptimin e tyre me mesazhe të manipuluara.

Nëse DIELLZA përdoret për të fshehur dështimet e qeverisjes dhe për të ndërtuar një realitet të rremë, kjo bie ndesh jo vetëm me etikën, por edhe me standardet ligjore që Bashkimi Evropian u kërkon vendeve që aspirojnë anëtarësimin. Shqipëria, që pretendon të ecë drejt BE-së, nuk mund të ndërtojë demokracinë mbi avatarë dixhitalë dhe mashtrime algoritmike.

Ironia mbetet kokëforte, ndërsa qytetarët e gjallë përballen çdo ditë me inflacionin, emigrimin masiv dhe shërbimet publike të falimentuara, qeveria merret me ministra artificiale.

Ministrat realë janë kthyer në dekor, ndërsa ministrja e re është një kukull dixhitale  që nuk kërkon as rrogë, as pushim, as të drejtë fjale. Ajo ushqen ëndrrën e çdo autokrati me një ministre që nuk gabon kurrë, sepse nuk ekziston.

About Redaksia

Check Also

Tashti djalli po negocion paktin e fatit të tij

Nga Ndriçim KULLA Të korruptuarit “kanë atë, diçkanë” që u lejon atyre të  kërkojnë gjithmonë dhe  …