Ministri i Ramës, Lamallari ka fshirë sot deklaratën amerikane ku konsiderohet si prioritet kyc i administratës së Presidentit Trump çmontimi i grupeve kriminale dhe terroriste.
Arsyeja e kësaj censure ndaj mesazhit amerikan ka të bëjë me faktin se me grupe terroriste tashmë nënkuptohen edhe kartelet e drogës.
E ngarkuara me punë e SHBA, Nancy VanHorn, i ka përcjellë sot ministrit të Drejtësisë mesazhin për të çmontuar grupet terroriste dhe kriminale si prioritet të administratës të Presidentit Trump, por kjo frazë është hequr nga njoftimi zyrtar i ministrit të Ramës.
Duket se ky është një mesazh që i ka djegur Ramës prandaj dhe kanë zgjedhur të censurojnë mesazhin e marrë nga Shtetet e Bashuara.
Deklarata e ministrisë
Ministri i Drejtësisë, z.Besfort Lamallari, priti në një takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasasës së SHBA në Tiranë, znj.Nancy VanHorn.
Ecuria e zbatimit të reformës në drejtësi, sundimit të ligjit dhe forcimit të shtetit të së drejtës ishin temat kryesore të diskutimit.
Në një deklaratë të shkurtër pas takimit, Ministri i Drejtësisë vlerëson mes të tjerash ndihmën e vijueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë për reforma kyçe.
“Kënaqësi të prisja sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA në Tiranë, znj. Nancy VanHorn. Diskutuam për ecurinë e zbatimit të reformës në drejtësi, sundimin e ligjit dhe forcimin e shtetit të së drejtës, për ta bërë të pakthyeshëm progresin e arritur deri më tani dhe për të garantuar anëtarësimin në BE brenda vitit 2030. Mbetemi të përkushtuar të forcojmë kapacitetet tona në institucionet e drejtësisë dhe sistemin penitenciar, si dhe të intensifikojmë bashkëpunimin dypalësh. Partneriteti strategjik me SHBA dhe mbështetja e vijueshme e tyre në shumë reforma kyçe, për ne kanë një vlerë të çmuar”, shprehet ministri Lamallari.
Mesazhi i Ambasadës së SHBA
Duke hapur rrugën për një bashkëpunim më të fortë në fusha me interes të ndërsjellë, sot e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn takoi Ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, në fillim të mandatit të tij të ri. Koordinimi i efektshëm me sistemin e drejtësisë penale në Shqipëri është kyç për çmontimin e krimit të organizuar dhe grupeve terroriste, një nga përparësitë kryesore të Administratës Trump.