Nga Agim NESHO
Ka një tendencë kohët e fundit për të risjellë në Ballkan zgjidhjet e vjetra, duke i shkëputur nga konteksti i paraqitjes së tyre. Këto zgjidhje pragmatiste shtyhen dhe lobohen nga Autokratët e Ballkanit, të cilët duan të ndryshojnë realitetin e rëndë në vendet e tyre: Vuçiç për të hequr vëmendjen nga revolucioni i studentëve në Serbi, që është kthyer në një lëvizje popullore kundër një regjimi kriminal, dhe Rama, që mban mbi supe peshën e zgjedhjeve të manipuluara të 11 Majit, lidhjen e regjimit me krimin e organizuar.
Takimi i Grenell në New York me ministrat e jashtëm të rajonit të Ballkanit, ishte një aktivitet që kërkonte hapësirë për iniciativën e tij të marrëveshjes së Washingtonit të shtatorit të vitit 2020. Kjo marrëveshje ishte një fitore në politikën e jashtme të SHBA dhe të Presidentit Trump para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000. Paraqitja e zgjidhjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u paraqit në këtë takim si një zgjidhje ekonomike dhe zhvillimi midis dy vendeve, një plan Abrahams për Ballkanin Perëndimor. Në fakt konflikti midis Serbisë dhe Kosovës nuk gjenerohet nga mungesa e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve por nga ambiciet territoriale të nacionalizmit serb që kërkojnë rishqyrtimin e historisë.
Përpjekjet e të dërguarit special të Presidentit, zotit Grenell, ishin të lavdërueshme por të pamjaftueshme për stabilitetin ballkanik. Vetë zoti Grenell duke besuar në këtë zgjidhje ekonomike ka treguar integritet duke vazhduar edhe më vonë si privat investimet e fondeve arabe në prona të patundshme si në Serbi me Vuçiç ashtu edhe në Shqipëri me Ramën. Praktika e bashkëpunimit në marrëveshje me Autokratët është shumë e lehtë dhe fitimprurëse se ata nuk pyesin për interesa kombëtare por për interesa të pushtetit të tyre. Bashkëpunimi me një “kokëfortë” si Kurti prish ekuacionin e zgjidhjes.
Sot, figura e nderuar e z. Grenell është vlerësuar nga Presidenti Trump duke i besuar postin e Qendrës kulturore Kenedi në Washington. Por politika e jashtme e SHBA sot drejtohet me sukses nga Presidenti dhe Sekretari i Shtetit Rubio, që është edhe këshilltar i Sigurimit Kombëtar. Sigurisht, dhe me të drejtë, zoti Grenell kërkon të ridimensionojë rolin e tij në politikën e jashtme sidomos në Ballkan, ku ai ka qenë aktor i rëndësishëm dhe ka njohje direkte dhe të rëndësishme me autokratët ballkanikë Vucic dhe Rama. Vetë Vucic për rolin e tij e ka dekoruar me urdhrin më të lartë dhe me mirënjohjen më të thellë. Kohët e fundit negocimin e Grenell e ka kërkuar edhe Maduro i Venezuelës në letrën e fundit drejtuar Presidentit Trump, pasi është izoluar nga politikat parimore dhe aksioni diplomatik i shkëlqyer i sekretarit të shtetit Rubio për të goditur narkoshtetin në Venezuela. Gjithashtu, paraqitja e panevojshme në takimin e tij të Presidentit Begaj është një përkrahje për rolin e tij. Sigurisht që prania e tyre është paraqitja dhe mbrojtja e interesit të Autokratit Rama, i cili dihet që nuk i pëlqen politikat e kësaj Administrate, si për dënimin e veprimtarisë së Soros ashtu edhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe karteleve të drogës që SHBA i ka klasifikuar organizata terroriste. Për më tepër që Rama nuk i fal Sekretarit të Shtetit Rubio prononcimin e tij dhe Departamentit të Shtetit se “nuk do të lejojnë që veprime të tilla (si lobimi për non grata e liderit të opozitës) të helmojnë marrëdhëniet midis dy shteteve”.
Kukullat e diplomacisë Shqiptare duhet ta dinë mirë që do të mbajnë përgjegjësi historike për të favorizuar politika anti-kombëtare që vijnë nga nacionalistët e Vuçiç, këshilltarët e tij apo argati i tij në Tiranë, dhe mbi të gjitha kundër interesave të Kosovës.