Rama u mburr se solli “Forbes Global” në Shqipëri, por kompania “Capital Point” me borxhe në Tatime

“Capital Point”, kompania e cila u bë pjesë e rrjetit Forbes Global Properties rezulton të jetë nën masën e sigurimit tatimor për shkak të borxheve të papaguar në Tatime. Kompania, e cila u lëvdua publikisht nga kryeministri Edi Rama, është vënë nën masë që në tetor të vitit të kaluar për shkak se nuk ka paguar 18 mijë euro detyrime të prapambetura.

“Tatimpaguesit i është dërguar dokumenti “Njoftim dhe kërkesë për të paguar”, por ai nuk ka paguar ende. Këto detyrime janë subjekt i masave shtrënguese në përputhje me legjislacionin përkatës tatimor,” thuhet në shkresën e Tatimeve.

Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara Rajoni Qendror thekson se nëpërmjet kësaj mase synon që në Qendrën Kombëtare te Biznesit të mos lejohet tjetërsimi mbi pasurinë dhe të drejtat e tjera pasurore që i përkasin këtij tatimpaguesi, deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve tatimore.

Capital Point nën sekuestro tatimore

Capital Point është një agjenci pasurish të paluajtshme, që zotërohet nga Ilda Zaloshnja dhe një shtetas amerikan nga Massachusetts i quajtur Brandan Arthur Mativi. Një ditë më parë kompania mbajti një event publik ku njoftoi bashkimin me rrjetin Forbes Global Properties.

Në ceremoninë, ku ishte i ftuar drejtori ekzekutiv i Forbes Global Properties, ishte i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama, i cili i përgëzoi publikisht të dy pronarët e Capital Point për sjelljen e Forbes Global Properties në Shqipëri.

“Do të flas dy fjalë në anglisht, së pari duke shprehur falënderime shumë të sinqerta për një çift që e bëri të mundur një gjë të tillë dhe është diçka që t’ju them të vërtetën ishte diçka për të cilën isha skeptik, sepse ne e dimë shumë mirë që Forbes Property nuk është degë po themi këtu, është ajo e mirëfillta, e vërteta, dhe të shohësh drejtuesin ekzekutiv që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një grup jo të vogël, për të kremtuar këtë mbrëmje është vërtetë një arritje mjaft e madhe, kështu që përgëzime,” tha Rama.

/Kapitali.al

About Redaksia

Check Also

Rama kap edhe Shoqatën “Tirana” me Hajdarin e tij

Adnand DEDA Sot me derguan te degjoj fjalimin programatik te nje njeriu qe prezantohej si …