Biznesmeni italian Edoardo Sarchi, 44 vjeç, është vrarë me breshëri plumbash në Salari të Tepelenës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30, në fshatin Salari, në vendin e quajtur “Dilan”, midis fshatrave Nivicë dhe Salari, në aksin rural që lidh këto dy zona.
Edoardo Sarchi ishte pronar i një fabrike tullash në Tiranë, EDIL Centro.
Sipas burimeve, viktima udhëtonte në automjet me persona të tjerë kur një person i armatosur ka dalë para duke qëlluar drejt tyre.
Pas sulmit drejtuesi i mjetit raportohet se ka vijuar rrugën me shpejtësi.
Dëshmia e shoferit
Shoferi i biznesmenit italian ka dëshmuar për uniformat blu se si ka ndodhur ngjarja e rëndë.
Sipas dëshmisë së shoferit, Gazmend Braçe u doli përpara makinës dhe ngriti dorën për ta ndaluar dhe në atë moment autori ka hapur zjarr duke qëlluar shtetasin italian.
Gazmend Braçe është djali i Eqerem Braçes, dhe nip i Gramoz Ruçit.
Gazmend Braçe u arrestua në vitin 2019 pasi i mori armën nga brezi oficerit të patrullës së policisë dhe plagosi me të Aleksandër Zhapajn gjatë kohës që të dy po shoqëronin në spital një të afërm të lënduar gjatë një sherri në një lokal në Levan të Fierit.
Gazmend Braçe, 22 vjeç në atë kohë, akuzohej për veprat penale “Vrasje me dashje mbetur në tentativë” e “Goditje për shkak detyrës të punonjësit të rendit publik”.