Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, ka reaguar në Parlament duke e quajtur takimin e qeverisë në Aruba “tronditës”. Ai akuzoi shumicën e deputetëve të mazhorancës se janë përfaqësues të grupeve kriminale dhe se disa prej tyre kanë lidhje me individë të njohur për aktivitete kriminale.
Noka tha se takimi në Aruba është një dëshmi e lidhjeve të qeverisë me kriminelët.
“Të tentosh të kthesh këtë Parlament dhe të instrumentalizosh një farsë tjetër, kjo nuk kishte ndodhur kurrë dhe as ishte imagjinuar kurrë. Në rast se juve ju dhunon dhe ju dikton çdo gjë narkosi, atëherë shqiptarët kanë nevojë të dinë çdo gjë sepse ne jemi opozita dhe kemi detyrë të shpërthejmë ato prangat që ju ka futur juve barkosi në çdo hap dhe t’ju themi çdo realitet në këtë vend.
Edhe këta ministrat këtu. Gjysmën e tyre nuk e njeh asnjë shqiptar. Duhet t’i lejoni t’i lejoni të flasin, sepse duhet t’i njohin shqiptarët. Çfarë jeni aty? A jeni oborrtar apo jeni ministra.
Ju doni që çdo seancë të kthehet në farsë dhe të flasë akademia e barinjve e juaja, ndërsa kur vjen tek opozita t’u ndërpritet fjala.
Takimi i Arubës është lemeritës, që tregon sesi bosët e narkosit ulen me qeverinë shqiptare. Tregon sesi një orë 500 mijë euro u jepet atyre për t’ia dhuruar kreut të narkosit, si një shpërblim ose si mirënjohje që po fut paratë e drogës ose të korrupsioni në sistemin e ekonomisë shqiptare. DASH ju ka bërë një skaner ju e grupit të Narkosit”, tha Noka.