Pse Rama nuk e mohon takimin e Arubës

Sali BERISHA

Takimi i Arubës përcillet në heshtje varri nga Edi Rama dhe narkoministrat e tij.

Por, Aruba është dëshmia më flagrante ndërkombëtare e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të Edi Ramës me grupet terroriste të shpallura nga SHBA të narkoterroristëve shqiptare dhe ndërkombëtarë.

Edi Rama po bën gjithçka që ta arkivojë në harresë Arubën, por kjo nuk do mund të ndodhë.

Garantoj shqiptarët se opozita është totalisht e përkushtuar për transparencë të plotë, pasi në këtë takim, marrëveshja midis narkoqeverisë dhe narkoterroristëve, për të shndërruar Shqipërinë në parajsën e parave të tyre të krimit.

Nga ky takim, thuhet se Edi Rama u kthye me një orë 400 mijë euroshe, me diamante dhe safire të çmimeve më të larta.

Edi Rama nuk flet për takimin e Arubës sepse ky takim njëlloj si Maduron e Venezuelës, e shpall atë një kryetar të narkoshtetit të parë dhe të vetëm të kontinentit.

Ne, PD, e cila ka qëndruar fuqishëm siç e dini ju që në fillim e gjer sot ka denoncuar pa ndërprerje narkoshtetin shqiptar, pasojat shkatërrimtare të narkoshtetit, zëvendësimin e shtetit ligjor me shtetin e mafies, zëvendësimin e ekonomisë së tregut me narkoekonomi, largimin masiv të shqiptarëve nga Shqipëria, ndjehet e inkurajuar nga vendimet e fundit të presidentit Trump, i cili i shpalli kartelet e drogës si organizata terroriste.

Por dua të informoj shqiptarët se presidenti i Francës gjithashtu vendosi të përdorë ushtrinë, njësitë të saj të specializuara, kundër organizatave të krimit të organizuar.

Çfarë tregojnë këto? Këto tregojnë se kartelet e drogës dhe organizatat kriminale përbëjnë rrezik madhor për sigurinë e vendeve, sigurinë e rajoneve, rrezik madhor për paqen dhe sigurinë në botë.

Shqipëria është shndërruar nga Edi Rama në parajsën e larjes së parave të klaneve dhe karteleve më të rrezikshme në Europë.

Departamenti i Shtetit në raportin e fundit flet hapur për një patern ekonomik që po zhvillohet dhe që në të vërtetë është paterni ekonomik i narkoshtetit dhe narkoekonomisë.

Në Shqipëri nuk ka investime të huaja. Ka 10 vite që nuk numërohen as më gishta investitorët seriozë perëndimore sepse ata janë zëvendësuar nga narkotrafikantët dhe paratë e tyre.

Sepse janë terroristët e karteleve të drogës ata që dominojnë tërësisht tregun shqiptar, ata që kanë shkatërruar tërësisht konkurrencën, ata të cilët janë më të preferuarit apo që i diktojnë Edi Ramës.

Ndaj me të drejtë në raport flitet për një korrupsion të madh qeveritar, korrupsion të madh në gjyqësor.

Flitet për paratë e drogës, për mungesën e investimeve të huaja, që të gjitha këto tipike për një narkoshtet.

Rikujtoj këtu se kompani të mëdha botërore, gjatë këtyre viteve u larguan nga Shqipëria.

Rikujtoj këtu se të gjitha akset e mëdha rrugore, nga Hani i Hotit në Gjirokastër, u ndërtuan nga kompani ndërkombëtare me reputacion të madh.

Rikujtoj këtu se zbarkuan në Shqipëri gjigantë si Shelli, pavarësisht rezultatit, por shpenzoi mbi 1 miliard euro në shpatet e Shpiragut dhe zona të tjera në kërkim të naftës.

Kompani të tjera në real estate kishin projekte mbi 1 miliard e gjysëm dhe ato u larguan të gjitha nga Shqipëria që të gjitha sepse u zëvendësuan nga kartelet e drogës.

PD do vazhdojë misionin e saj të transparencës së plotë, pavarësisht avoketërve të narkoshtetit, pavarësisht çfarë pozicioni kanë dhe ku ndodhen, me bindjen e plotë se narkoshteti shqiptar është rrezik madhor për qytetarët shqiptarë, për qytetarët e rajonit, për BE-në, partnerët tanë përtej Atlantikut.

About Krye Redaktor

Check Also

Bota foli për 11 Majin, tani është radha jonë

Gjin GJONI Vetëm me një shikim të shpejte dhe nisur nga konstatimet e terminologjia e …