Ledina ALOLLI
Tallja me pensionistët, episodi i rradhës propagandistik i “Shqipërisë 2030”!
Kur qeveria e sheh veten në pasqyrë, ajo nuk sheh mjerim, vështirësi apo pensionistë në hall, por sheh mundësinë për një tjetër spot propagande. E zhytur në falsitetin e saj keqbërës, “Rilindja” ofroi shfaqjen e rradhës së turpit ndaj pensionistëve. Në vend të një zgjidhjeje reale, mazhoranca socialiste vendosi të “vetindeksojë” pensionet, me rezultatat final rritjen prej 500 lekë në muaj.
Në kulmin e varfërisë dhe krizës së çmimeve, kjo qeveri e përdor pensionistin si shkop politik. Shtresa që ka derdhur mund dhe djersë për këtë vend, e sheh veten të ekspozuar vetëm si premtim elektorale dhe kurrë të vlerësuar. Pensionistët nuk arrijnë të blejnë as shportën bazike të ushqimeve, nuk kanë rimbursim për ilaçe dhe paguajnë për kujdesin shëndetësor që duhet të ishte i garantuar.
Ndërsa Edi Rama e kthen këtë 500 lekësh si flamur përkushtimi, Shqipëria është vendi me pensionet më të ulëta në rajon. Në 8 miliardë euro të buxhetit të shtetit, “Narko-perandori” zgjodhi të ofronte vetëm 16 milionë euro për 870.000 pensionistë. Teksa ministrat me në krye “Ramaduron” e tyre shëtisin nga Aruba në Dubai, të moshuarit tanë po luftojnë të mbijetojnë me kafen e mëngjesit si luks dhe me mjerimin si përditshmëri.
Pensionistët nuk janë vetëm numra për statistika dhe aktorë për spote propagandistike! Ata janë gjenerata që meritojnë respekt, dhe dinjitet. Në Shqipërinë e sotme, Rama mund të flasë për ëndrra evropiane, por realiteti shqiptar i pensionistëve është i dhimbshëm dhe qesharak njëkohësisht.