Nga vajza në prehrin e Ramës deri tek Luca/ Emrat e hajdutëve që vodhën 38 milionë euro të BE për fermerët

“PLUG”

Plotë 38 milionë euro grante të IPARD, u grabitën nga individë dhe subjekte në Shqipëri, që dyshohet se janë të lidhur me qeverinë dhe krimin e organizuar. Kjo shifër është e konfirmuar nga raportet zyrtare të Bashkimit Europian. OLAF e konsideroi “kriminale” këtë skemë mashtrimi dhe vjedhje, ndërsa në vijim Plug do t`ju paraqesë emrat e kriminelëve, qeveritarëve dhe familarëve të tyre që zhvatën miliona euro të IPARD në kurrizin e fermerëve shqiptarë.

Dhjetëra milionë euro kanë përfunduar në xhepat e një grupi njerëzish, kryesisht të lidhur me pushtetin por edhe me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Në emisionin e sotëm (1 tetor 2025), do të ndalemi tek vetëm disa prej tyre, të cilët as nuk janë kujdesur të kamulfojnë përfitimin e fondeve.

Ardian Tufa, ka qenë ish-drejtues i Njësisë Administrative në Farkë. I konsideruar një nga njerëzit e besuar të Erion Veliajt për shumë kohë, Tufa do të shfaqej gjithashtu edhe krah Frida Krifcës. Arsyet e këtij afrimi nuk ishin thjesht lidhja politike, por dhe interesi financiar, për të përfituar nga fondet e AZHBR.

Biznesmeni Ardian Tufa rezulton se ka përfituar nga masa 7 e fondeve IPARD, për diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit. Sipas AZHBR, Nari i Lundrës ka kryer një investim prej 41 milionë lekësh, apo rreth 410 mijë eurosh, ku 65% të investimit e ka mbuluar IPARD me vlerën e 247 mijë eurosh.

Manjola Haska, motra e deputetit socialist të Tepelenës, Tërmet Peçi, është një tjetër emër që ka përfituar qindra mijëra euro nga IPARD për të ndërtuar Agro Turizëm Rexhinin. Sipas të dhënave publike AZHBR dhe Manjola Haska kanë firmosur kontratën për përfitimin e fondeve IPARD për ndërtimin e shtëpizave të drurit në fshatin Rexhinë.

Image

Kontrata ka një afat 05.04.2023 deri në 06.10.2023 dhe vlera e investimit është 346.000 euro dhe granti që ka përfituar nga IPARD është në vlerën 225.000 euro. Jo vetëm motra e Tërmetit, por edhe burri i saj, ka futur duart në fondet e fermerëve, duke përfituar një vlerën prej 15 mijë eurosh për mbjellje pemësh.

Image

Një tjetër kompani, pas së cilës dyshohet se fshihet pikërisht ish-kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi dhe drejtori i tij i tenderave, Lorenc Bami, është “IUMENTIS”. E denoncuar nga Plug sezonin e kaluar, kjo shoqëri ka përfituar plotë 758 mijë euro fonde nga IPARD, duke vendosur një nga rekordet për shumat e përfituara nga taksat e qytetarëve europianë.

Image

Petrit Tare, ish-drejtori i Ujësjëllësit të Korçës është një tjetër emër i lidhur ngushtë me Niko Peleshin, që ka përfituar qindra mijëra euro fonde nga IPARD.

Image

BLOOM Fruits, ku Petrit Tare është aksioner me 30% të aksioneve, ka përfituar 251 mijë euro fonde nga IPARD apo rreth 70% të totalit të investimit prej 363 mijë eurosh, investim për ndërtimin e një sere fruta perimesh.

Image

Sokol Tusha, është vëllai i Taulant Tushës, ish-krahut të djathtë të Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës, që u arrestua për aferën e inceneratorit të Sharrës dhe dosjen 5D. Vëllai i Taulantit, Sokoli, nuk ka munguar në përfitimin e qindra mijërave eurove nga IPARD për të ndërtuar një Agroturizëm. Sipas AZHBR Sokol Tusha a përfituar 196 mijë euro ose 65% të vlerës së Investimit prej 374 mijë eurosh për ndërtimin e një agroturizmi në Kashar.

Image

Alban Zusi është ish-zëvendësministër i bujqësisë i qeverisë Rama në mandatin e parë të saj. Si një njeri që i njeh mirë punët e bujqësisë, Alban Zusi duket se ka ditur edhe të përfitojë jo pak, por plotë 532 mijë euro fonde nga IPARD për një investime me vlerë 1 milionë euro, për ndërtimin e një fabrike përpunimi peshku në Lezhë.

Image

Shkëlqim Bullari, është ish-deputet i Partisë Socialiste. Ai, së bashku me vëllezërit e tij, janë promovuar nga faqja e IPARD në Shqipëri për biznesin në fushën e pemtarisë dhe agroturizmit. Plug kërkoi të dhëna, por nuk arriti të provonte shumën e përfitimit nga vëllezërit Bullari nga fondet e AZHBR, pasi ato janë nuk gjenden në internet.

Image

Të gjithë e kujtojnë këtë foto të  famshme. Loreta Tozaj pozoi ulur në prehrin e Kryeministrit Edi Rama. Dhe duket se kjo foto kaq e afërt e Tozajt me Edi Ramën, do ta shpërblente atë të ngjiste shkallët e karrierës, duke u bërë një nga drejtoreshat e shumta të Kadastrës së Vlorës.

Image

Sipas faqes së AZHBR, Loreta Tozaj ka përfituar 82 mijë euro nga IPARD, për një investim me vlerë 113 mijë eurosh në fshatin Kllarat në Vranisht.

Image

Gjergj Luca, një nga njerëzit që ka përfituar dhjetëra hektarë pasuri e prona publike për bizneset e tij gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, nuk ka mbetur pas as në përfitimin e qindra mijërave euro për biznesin e peshkut.

Në vitin 2019, nëpërmjet kapitetin të anijes “Rosafa”, Gjergj Luca aplikon pranë AZHBR për një fond prej 400 milion lekësh, me objekt rikonstruksion anijesh. Andon Nako, është një kapiten i vërtet për Gjergj Lucën, pasi ky i fundit nëpërmjet Nakos ka mbyllur shumë afera, me drejtësinë, si ajo e grabitjes së peshkut ton  në Maltë apo vjedhjes së një anije në portin e Limionit në Sarandë, për të cilat Plug do të flasë në emisionin e ardhshëm.

Image

Ndrec Llusku, një tjetër lezhian i lidhur me politikën, dhe konkretisht ish-kandidat i Tom Doshit në zgjedhjet e vitit 2021, ka përfituar plotë 91 mijë euro për të ndërtuar një pemishte në Orosh të Mirditës.

Image

Elvis Roshi, ish-kryebashkiak i Kavajës, rezulton gjithashtu një nga përfituesit kryesor të fondeve IPARD. Sipas AZHBR, Kompania Kavalion e Elvis Roshit, ka përfituar 123 mijë euro për ndërtimin e një agroturizmi në Kavajë.

Balkan Trans Albania, në pronësi të Rodolf  Xhillari, pjesë e forumeve më të larta drejtuese të Partisë Socialiste, konsull nderi i Izraelit, ka përfituar 538.000 euro. Sipas të dhënave, kjo shoqëri ka përfituar fonde për të ndërtuar një stabiliment për përpunimin e mishit.

Image

‘Coast to Coast’ e gruas së investitorit strategjik Florenc Gjikuria ka përfituar 189.000 euro, para të cilat janë kërkuar të kthehen nga OLAF por ende nuk ka ndodhur. Bashkëshortja e Florenc Gjikurisë, Xheni Gjikuria është përfolur në media edhe si njeri i lidhur me ish-ministren Frida Krifca.

Në radhën e gjatë të zyrtarëve të lartë socialist, apo personave të lidhur me ta, nuk kanë munguar as kryebashkiakët. Një ndër ta është Fredi Kokoneshi, ish-kryebashkiaku socialist i Divjakës, bashkëshortja e tij, Eriona Kokoneshi përfitoi plotë 44 mijë euro fonde nga IPARD për ndërtimin e një kantine vere.

Andi Kokoneshi, nipi i Fredi Kokoneshit, ka përfituar 32.000 euro. Ai ka përfituar këto fonde për Investim për përmirësimin e cilësisë së qumështit, makineri për përgatitjen e ushqimit për kafshet.

Image

Ish-deputeti socialist, Dashamir Peza, i njohur si një nga miqtë e Kryeministrit Edi Rama, është gjithashtu pëfitues i fondeve IPARD. Sipas të dhënave, nëpërmjet kompanisë së tij Il Paeze, Dash Peza ka përfituar një shumë prej 222 mijë eurosh për ndërtim agro turizmi.

Image

Nuk mungojnë as njerëzit e afërt të ish-deputetit dhe ministrit socialist, Saimir Tahiri. Kunati i tij, Alban Berisha, administrator i “Ferma 100”, ka përfituar reth 48 mijë euro fonde për rikonstruksionin e një stalle në Vaqarr. Edhe shtetasja Elda Alia PF (Ferma 100, Saimir Tahiri) ka përfituar 121.000 euro.

Image

Rast skandaloz është dhe ai i Elton Buallit, ish-administratorit të inceneratorit të Sharrës, njeriut që bëntë propagandën e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit në aferën e djegësave. Elton Bualli ka përfituar jo pak por plotë 310 mijë euro për ndërtimin e një sere me fondet e IPARD, pikërisht në landfillin e Sharrës në Tiranë.

Image

ALBANIA PIEMONTE SHPK, është një tjetër kompani, në pronësi të një ish-drejtuese e ALUIZNIT në Tiranë gjatë qeverisë Rama. Pas karrierës në politikë, Orjeta Myzeqari  u bë aksionere në kompaninë Albania Piemonte. Edhe kjo shoqëri rezulton se ka përfituar fonde IPARD, me një grant që kap vlerën e 301 mijë eurove, për ndërtimin e një magazine grumbullimi për perime në fshatin Gosë të Kavajës.

Image

Armand Tafili, ka përfituar fonde për Agron Turizëm Rohan, me vlerë granti prej 234 mijë eurosh, ndërsa rezulton se ka punuar edhe në bashkinë e Ersekës drejtuar nga Erion Isai.

Kompania Unique Travel, në pronësi të shtetases Manjola Fidani, ka përfituar mijëra euro fonde nga IPARD për ndërtimin e një vile në Voskopojë. Fidani rezulton se ka punuar pranë Fondit të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë./ SYRI.net

About Krye Redaktor

Check Also

Rama rrit sërish me ligj çmimin e karburanteve/ Taksë e re 300 milionë euro

Qytetarët shqiptarë do të paguajnë rreth 300 milionë euro taksa shtesë mbi naftën, për të …