Kryetari i PD, Sali Berisha, ka ritheksuar rolin e opozitës si forca kryesore e rezistencës ndaj regjimit aktual. Duke folur për emisionin “Elevante” të Floriana Garos, Berisha bëri thirrje për një mobilizim të fuqishëm qytetar dhe jo besim tek zgjedhjet farsë.
“Të rinjtë shqiptarë duhet të shohin me shpresë te PD. Diktaturat nuk largohen me zgjedhje farsë, por me protesta të fuqishme, kur qytetarët vendosin të marrin në dorë fatin e tyre,’ tha Berisha.
Duke komentuar zhvillimet e fundit në Tiranë dhe largimin e Erion Veliajt nga drejtimi i Bashkisë, Berisha kujtoi se vetëm pak kohë më parë, ai konsiderohej një nga figurat më të fuqishme të mazhorancës.
“Ai konsiderohej “superstari i regjimit”, por opozita arriti ta gozhdonte politikisht. Sot ai është kthyer në problem për Edi Ramën. Këshilltarët që sot vendosën për ekzekutimin e tij politik, para disa muajsh zvarriteshin nëpër dritaret e SPAK për ta mbrojtur”, shtoi Berisha.
Lideri i opozitës theksoi se qëllimi i angazhimit të tij politik nuk është pushteti personal, por një mision për çlirimin e vendit nga ajo që e cilësoi si një regjim autokratik.
“Nuk është një betejë për poste, por një mision për shpëtimin e Shqipërisë nga një regjim autokratik dhe për t’u kthyer shqiptarëve lirinë dhe shpresën”, tha Berisha.